Të akuzuarit e Kumanovës, refuzojnë marrjen në pyetje nga prokuroria (Video)

Lajme

Të akuzuarit e Kumanovës, refuzojnë marrjen në pyetje nga prokuroria (Video)

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 17:43

Procesi dëgjimor për të arrestuarit nga aksioni policor në Kumanovë u bllokua që në fillim për shkak se të dyshuarit nuk pranuan të japin deklaratë pa u njohur më parë me provat e Prokurorisë.
Sipas palës mbrojtëse, më këtë akt të prokurorisë, shkelet ligji dhe neni 206 i saj i cili thekson qartë se fillimisht duhet të prezantohen provat e më pas të jepen deklaratat e të dyshuarve. Avokati Naser Raufi i cili përfaqëson 9 të akuzuar në rastin e Kumanovës, kryesisht shtetas kosovarë, ka reaguar tek të gjitha institucionet kompetente dhe ndërkombëtare. Për këtë sot është informuar edhe OSBE-ja.

“Të gjithë të arrestuarit insistonin që t’ju prezantohen provat e mandej të japin deklaratë por prokuroria nuk e lejoi këtë që ligji ia garanton çdo të akuzuari... Absolutisht është bllokuar me këtë shkelje e ligjit, shkelje flagrante të ligjit. Neve nuk na mundësohet d.m.th. të akuzuarve nuk u mundësohet mbrojtja, një e drejtë elementare. Ne do të reagojmë te krejt institucionet kompetente që të arrijmë t’i shohim provat dhe të japin të akuzuarit deklaratën e vet”, deklaroi Naser Raufi, avokat mbrojtës.

Avokati mbrojtës pret që pas këtij reagimi, Prokuroria të korrigjojë gabimin gjatë marrjes në pyetje të të akuzuarve të tjerë që janë në burgun e Prilepit dhe Manastirit, javën e ardhshme. E gjithë kjo, siç shton më tej Raufi, vë në dyshim gjithë procesin gjyqësor për rastin në fjalë, duke mos e përjashtuar mundësinë e montimit të tij.

“Vet kjo që nuk jepen provat, e vë në dyshim krejt këtë rast, d.m.th. një gjë elementare që është shumë e qartë dhe e thjeshtë, çdo provë që e realizon prokuroria, bile një nga një duhet menjëherë t’i prezantohen të akuzuarit, të dyshuarit dhe avokatit... Kjo që nuk u prezantuan dhe nuk na u dhanë provat, nuk na mundësohet edhe mbrojtja praktikisht do të thotë se hedh dyshim të madh për këtë rast fillimisht. Sipas meje bile jam i sigurt që prej fillimit ky rast fillon të montohet”, tha Naser Raufi, avokat mbrojtës.

Naser Raufi përfaqëson 9 klientë mbi rastin e Kumanovës, në mes të të cilëve Muhamet Krasniqi i njohur si komandat Malisheva, Dem Shehu i njohur si komandant Juniku, Shefket Hallaçi, Esat Kafexholi, Lirim Krasniqi, Bajram Elshani, Fadil Elshani, Hajrush Avdija dhe Qenan Iseni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat