Rektori Zejnullahu t’ua thyejë qafën abuzuesve seksual, dhe me intelektin!

Lajme

Rektori Zejnullahu t’ua thyejë qafën abuzuesve seksual, dhe me intelektin!

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 11:13

Arsimimi i shqiptarëve ishte ‘Thembra e Akilit’ për sistemin jugosllav të dominuar nga serbët. Pasi shqiptarët më në fund ia dolën ta themelojnë Universitetin e Prishtinës, inteligjenca serbe, e shihte si një bombë të kurdisur.
Merreni me mend, paskrupullsinë dhe inteligjencën serbe, se si e trajtonte arsimimin e një populli të tërë, të tretin për nga numri në ish-Jugosllavi. Pra, kërkonte që edhe në shekullin e 20-të shqiptarët të mbeteshin pa shkolla, pa universitet e rrjedhimisht të jetonin, si në mesjetë. Duke e ruajtur këtë ide dhe këtë koncept antihuman dhe racist, Serbia me suprimimin e autonomisë së Kosovës më 1989-1990, vendosi masa të dhunshme në gjithë sistemin arsimor, të lartë e të mesëm, përveç atij fillor, përveç në sistemin e shëndetësisë, administratë, industri etj.
Vendosja e këtyre masave të dhunshme i dëboi shqiptarët jashtë objekteve universitare e shkollore. Pra, qëllimi ishte edhe njëherë që shqiptarët të ktheheshin mbrapsht në kohë, dhe më pas botës ti paraqiteshin si injorant, popullsi indigjene e Europës, pra primitive, që madje s’meritonte liri, se shtet jo se jo.
Shqiptarët kësaj politike raciste e shovene iu kundërpërgjigjën me krijimin e shkollimit paralel, si pjesa më thelbore, shtylla e krejt sistemit politik të shqiptarëve, që u bë i njohur në botë, si shteti paralel i Kosovës, i udhëhequr nga presidenti Ibrahim Rugova, këmbëngulës së bashku me intelektualët e kohës, se shkollimin duhet zhvilluar qoftë edhe në natyrë apo në bodrume, ashtu siç rrjedhimisht ka ngjarë në shumë situata.
Por, çfarë ndodhi pas luftës?
Ndodhën gjërat që më së paku i kemi pritur, më së paku i kemi ëndërruar, dhe ishin të pabesueshme, edhe pse një pjesë e konsiderueshme e opinionit vazhdon të mos i kuptojë: degradimin e diplomës së UP-së, deri në minimum, si mesatare, degradimin e punës shkencore dhe akademike, në rutinë studimesh, shumica të pavlera, dhe që askush nga jashtë nuk i atribuohet, me përjashtime, marrja e thirrjeve shkencore e shoqëruar edhe me punësim të njerëzve, që si kanë lexuar 100 libra në jetën e tyre, kanë doktoruar nga ‘pesha politike’, kanë marrë thirrje universitare, asistent profesor, profesor i asociuar etj., dhe sot udhëheqin edhe fakultete, dhe mbi të gjitha këto imoraliteti i hapur akademik, në shkëmbim të parave, dhe të seksit për nota, deri në kushtëzim.
Andaj sot rektori reformator, Ramadan Zejnullahu, që po cilësohet nga një pjesë e konsiderueshme, për të pasur sukses duhet t’ia fillojë me marrjen në përgjegjësi të gjithë stafit akademik, për të cilët ka dyshime të bazuara prej vitesh, duke nisur nga Fakulteti i Mjekësisë, ku ai është më së miri i informuar dhe ku autoritarizmi i shoqëruar me abuzimet e përmendura është më i shprehur se kudo.
Të vazhdohet me hetimin e titujve akademik dhe të thirrjeve universitare, për të kaluar tek keqpërdorimet tjera. Standardi i cilësisë dhe etikës në UP fillon me zgjidhjen e këtyre çështjeve.
Ky është nderi që do t’ia bënte shqiptarëve dhe të sfidonte sistemin e infektuar me virusin serb, ndërsa vetit do të mund t’ia siguronte vendin në panteonin e shqiptarizmës! I. M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat