Rruga e emigrantëve për në Europë zhvendoset në Ballkan

Lajme

Rruga e emigrantëve për në Europë zhvendoset në Ballkan

Nga: Nga Rick Lyman, New York Times Më: 29 korrik 2015 Në ora: 09:34

Vala e emigrantëve për në Europës nga vendet e luftës dhe të varfra të Lindjes së Mesme, Afganistani dhe Afrika ka ndryshuar muajt e fundit. Ata lëvizin tani me tokë përmes Ballkanit Perëndimor, në numër të përafërt me ata që futeshin në kontinent nga Italia. Shumica e Europës është e tronditur nga dallga e njerëzve që kërkojnë siguri, punë dhe një jetë më të mirë – por që kanë burime të kufizuara, tensione të larta etnike dhe fetare.

Rruga e re po shkakton dhe një rritje të shpejtë të ndjenjave kundër emigrantëve në Ballkan dhe Europën qendrore, duke shtuar përkrahjen për partitë nacionaliste dhe dëshirën për protesta në shumë vende.

Kriza ekonomike në Greqi, pika kryesore e zbarkimit të emigrantëve në Europë që nisen drejt Ballkanit, mund t’i frenojë përpjekjet për të kontrolluar rrjedhën duke pakësuar vëmendjen politike dhe paratë e dhëna për garantimin e kufijve të vendit. Ndryshimi i rrugës së emigrantëve u bë i dukshëm nga janari në qershor, kur rreth 79 000 emigrantë kaluan në mënyrë të paligjshme nga Turqia në Greqi, sipas Frontex, agjencia e BE që kontrollon kufijtë.

Ca qëndruan në Greqi, por shumica vazhduan drejt veriut në Maqedoni e Serbi e në Hungari, ku mbërritën 67 000 emigrantë. Gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, përmes rrugës detare nga Libia në Itali, prej kohësh rruga më e preferuar, kaluan rreth 67 mijë emigrantë. Vitin e kaluar, 170 mijë emigrantët që u përpoqën të merrnin rrugën e Mesdheut për në Itali e tejkalonin numrin e emigrantëve që kaluan përmes Ballkanit në raport 4 me një.

Kalimet në det shtohen në muajt e ngrohtë, thanë zyrtarët e kufirit, duke e bërë të mundur që shifrat e trafikut në të dy rrugët të ndryshojnë në dimër. Zyrtarët hungarezë thanë për të enjten se më shumë 81 mijë emigrantë ishin futur në vend gjatë vitit 2015.

“Nëse vazhdojnë me këtë ritëm, jemi në rrugën për të kapur shifrën 150 000 këtë vit,” tha Peter Szijjarto, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë. Zyrtarët e emigracionit thanë se nuk ishin të sigurt çfarë e kishte ndryshuar rrugën e emigrantëve. Ata hamendësojnë që lajmet e shpeshta për anijet e mbytura mund të ketë luajtur rol.

Në të njëjtën kohë, vendet evropiane e kanë kthyer pengimin e tyre në politikë qendrore, dhe Libia është bërë gjithnjë e më shumë delikate dhe e rrezikshme.Edhe sirianët mund të drejtohen nga rruga tokësore përmes Greqisë, sepse ndryshimet në regjimin e vizave në Lindjen e Mesme e kanë bërë më të vështirë kalimin për në Libi e pastaj në Itali, tha Ewa Moncure, zëdhënëse e Frontex. Edhe Irani, një vend që ka tërhequr shumë emigrantë afganë, e ka ndryshuar regjimin e vizave, duke e bërë më të vështirë për refugjatët që të qëndrojnë aty.

Edhe Bullgaria, shteti tjetër evropian nga ku emigrantët mund të kalojnë me tokë për në Europë, e ka forcuar kontrollin e kufijve.

“Mësojmë që gjendja ka ndryshuar në Bullgari dhe Iran, duke e bërë të vështirë emigrimin për atje, dhe të gjithë e dinë që Italia është plot,” tha Timea Kovacs, e cila përfaqëson Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në qytetin kufitar të Szeged në Hungari.

“Por ne nuk e dimë me siguri.”

Emigrantët e intervistuar ditët e fundit në të dyja anët e kufirit hungarez thanë se ata kishin zgjedhur rrugën e Ballkanit sepse kushtonte më pak dhe u ishte rekomanduar nga kontrabandistët që i paguanin për t’i përcjellë në Europë. Çmimet që kishin paguar për të mbërritur kufirin hungarez ndryshonin, në varësi të nivelit të shërbimit që u jepej dhe të aftësisë së kontrabandistëve për t’u zhvatur para, nga 1000 dollarë deri në 4000 për person. Shumica kishin kaluar nga Turqia në Greqi, ose përmes kufirit të shkurtër tokësor ose me varkë.

Dhe pjesa më e madhe vazhduan drejt Maqedonisë e Serbisë para se të arrinin në kufirin hungarez, pengesa kryesore në rrugën e tyre drejt Europës perëndimore. Rreth 19 000 emigrantë nga vende të ndryshme hynë në Hungari gjatë vitit 2013, por shifra kërceu në 43 000 më 2014, për shkak të largimeve masive nga Kosova, tha ministri i Jashtëm.

Një marrëveshje shumëpalëshe i lejoi Hungarisë t’i kthente kosovarët në Serbi, dhe deri në mes të shkurtit kjo rrjedhë njerëzore avulloi. Por kjo u zëvendësua me një numër më të madh emigrantësh nga Siria, Afganistani, Iraku, Eritrea, Somalia, dhe vende të tjera nga Lindja e Mesme dhe Afrika të përfshira në luftë ose trazira. Por askund më shumë se në Hungari nuk është shfrytëzuar kjo, ku qeveria konservatore e Viktor Orban-it, popullariteti i të cilit është në rënie, është kapur pas shqetësimit për ardhjen e emigrantëve.

“Fushata e qeverisë ka qenë e fuqishme duke e kthyer në çështje atë çfarë nuk kishte qenë e tillë në Hungari,” tha Csaba Toth, drejtor i strategjisë për Institutin Republikon, një grup studimor politik që ka qenë kritik ndaj qeverisë.

Zyrtarët e qeverisë e mohojnë që ndjenjat kundër emigrantëve po rriten në Hungari, ose që ata i ushqejnë ato.

“Ne s’kemi përvojë të keqe me myslimanët,” tha zoti Szijjarto. “Në këtë vend nuk ka as ksenofobi. Por ne nuk jemi në gjendje të mirëpresim dhjetëra mijëra emigrantë.” Grupe të djathta kanë organizuar tashmë protesta në Budapest e vende të tjera, dhe kanë premtuar protesta të tjera para kampeve qeveritare të emigrantëve dhe përgjatë kufirit me Serbinë. Emigrantët nga ana e tyre thonë se duan të largohen nga Hungaria sa më shpejt të jetë e mundur për në Gjermani dhe vende të tjera të Europës perëndimore, ku u kanë thënë se janë më të mirëpritur.

“Askush nuk dëshiron të shkojë në Hungari,” tha një burrë që u identifikua vetëm si Mirivan, 27, student për letërsi angleze nga Damasku, Siri, i cili shpreson të mbarojë masterin diku në Europën perëndimore.

“Jo, më vjen keq.” Në maj, qeveria hungareze pyeti përmes e-mail-ve miliona votues hungarezë, nëse ata janë të shqetësuar për një lidhje mes emigrantëve dhe terrorizmit, dhe nëse paratë që qeveria harxhon për emigrantët mos duhet të shpenzohen për familjet hungareze.

Zoltan Kovacs, zëdhënësi ndërkombëtar i kryeministrit, tha se rezultatet e para treguan për një publik të shqetësuar.

“Mbi 80 për qind janë dakord për masa më të forta kundër emigrantëve,” tha zoti Kovacs. “Sigurisht, nuk është sondazh shkencor. Është një pyetësor politik, për konsultim me votuesit. Por sërish 60 për qind mendojnë se ka një lidhje mes emigrantëve dhe terroristëve. Padyshim që ka një rrezik serioz. Është e logjikshme.”

Zoti Orban tha se qeveria e tij do të ndjekë shembullin e Bulgarisë, që është ndërtimi i një gardhi përgjatë kufirit të saj me Turqinë, dhe do të ndërtojë një gardh të përkohshëm 4 m të lartë në kufirin me Serbinë – një deklaratë që i zhgënjeu serbët, të cilët shpresojnë të integrohen në BE. Plani ishte që ndërtimi të fillonte javën e kaluar në një sektor prove, me shpresë të kompletohej deri më 30 nëntor, tha ministri i Mbrojtjes Csaba Hende, në një konferencë për shtyp në qytetin kufitar Morahalom.

Zoti Orban tha kohët e fundit se qeveria ka ndërmend të mbyllë mjediset e saj për refugjatët në zonat e populluara në gjithë vendin – të kritikuara tashmë nga mbrojtësit e emigrantëve si të mbipopulluara dhe të pista – dhe t’i transferojë banorët e tyre në tenda të reja në zona më të largëta.

Fushata per emigrantët

Hungaria ka miratuar gjithashtu ligje që e lejojnë të kthejë e përzërë duke deklaruar që vendet fqinje si Serbia janë “të sigurta”.

“Qëndrimi i qeverisë është se ata kanë ardhur duke kaluar në vende të sigurta, prandaj duhet të kishin qëndruar aty,” tha Gabor Gyulai, koordinator i programit të refugjatëve për Komitetin e Helsinkit në Budapest. Hungaria gjithmonë ka pasur një dell ksenofobie, tha zoti Gyulai, megjithëse zakonisht gjendet poshtë sipërfaqes. Në një eksperiment më 2006, një kompani hungareze për sondazhe pyeti çfarë mendonin ata për disa grupe etnike të ndryshme, përfshi dhe një grup të sajuar, “etnia pareze”. Dy të tretat thanë se nuk i pëlqenin hiç pirezët.

“Oh, po, të gjithë i urrejnë pirezët,” tha me të qeshur Gergely Kovacs, themelues i grupi politik satirik i njohur si Partia e Qenit me Dy Bishta.

Zoti Kovacs u acarua aq shumë nga fushata e qeverisë me billborde saqë bëri apel për para në internet që të niste një fushatë të vetën. Mblodhi 117 000 dollarë, të mjaftueshme për 900 billborde, thuajse baras me 1000 billbordet e qeverisë. Billbordet e tij janë të ngjashëm me ato zyrtare, me ngjyrë blu dhe të bardhë, por ato kanë slogane si “Ju kërkojmë falje për kryeministrin tonë.”

Ndjenja kundër emigrantëve në Europën Qendrore mund të jetë e frikshme për të ardhurit, por ende nuk i ka frenuar të vijnë.

Megjithatë, kjo e shqetëson Zoltan Bolek-un, president i Komunitetit Islamik Hungarez, një nga sy shoqata që përfaqëson 10 000 myslimanët e një vendi me 10 milionë banorë. “Deri tani ka pasur shumë pak islamofobi në Hungari,” tha ai. “Prandaj jemi të habitur me atë që po ndodh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat