PDK-ja në konflikt të thellë! Çarjet nuk pushojnë!

Lajme

PDK-ja në konflikt të thellë! Çarjet nuk pushojnë!

Nga: Mimozë Lakna Më: 28 korrik 2015 Në ora: 18:42

Është partia e parë në vend për nga numri i votuesve. Por, sikurse edhe në partitë e tjera në Kosovë edhe brenda Partisë Demokratike të Kosovës, përçarjet dhe mospajtimet janë evidente.
Kohëve të fundit, këto përçarje i ka vënë në pah çështja e Themelimit të Gjykatës Speciale, ku disa deputetë të PDK-së, votuan kundër amendamenteve që do të qonin në themelimin e kësaj gjykate.

Peng, PDK-në dhe Kosovën

Në një prononcim për “Bota sot”, publicisti Fadil Lepaja, vlerëson se, mospajtimet që kanë dalë në sipërfaqe, me rastin e votimit të gjykatës speciale duket se janë edhe më të thella se kaq.
“Si duket bashkë me krejt Kosovën, edhe PDK-në po e mbanë peng një rreth i drejtuesve të cilët po i pengojnë proceset reformuese në PDK dhe shoqëri, shpeshherë duke brohoritur publikisht për to”, thotë Lepaja për “Bota sot”.
Ai potencon se, edhe lufta për ndryshime në PDK-së, po e merr si gjithkund, formën e luftës për pushtet në parti edhe në shtet.

Konflikti në PDK luftë për kontrollin e pasurisë kombëtare

Ndërkaq, analisti politik Halil Matoshi, thotë se konflikti në PDK, është konflikt i matjes së fuqive për kontrollin të të mirave kombëtare, të kapura nga PDK-ja dhe SHIK-u.
“Kjo që po ndodh brenda PDK-së nuk është një konflikt klasik ideologjik ose mes forcave përparimtare dhe regresive, mirëpo është konflikt i matjes së fuqive për kontrollin (apo ndarjen mes veti) të të mirave kombëtare, të kapura nga PDK-ja dhe SHIK-u. Kinse konflikti rreth Gjykatës Speciale nuk ekziston, sepse ajo është lojë e dyfishtë e kreut të PDK-së për ta negociuar të ardhmen e tij me bashkësinë ndërkombëtare”, potencon Matoshi.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të mërkurën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat