Koment: Një përshkallëzim i kalkuluar mirë

Lajme

Koment: Një përshkallëzim i kalkuluar mirë

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 14:31

Operacionet ushtarake turke në Siri dhe në Veri të Irakut në radhë të parë synojnë të pengojnë krijimin e një zone të kontrolluar prej kurdëve përgjatë kufirit me Sirinë. mendon Loay Mudhoon.

Askush nuk duhet të habitet: që operacionet ushtarake të aviacionit turk kundër pozicioneve të të ashtuquajturit "Shteti Islamik" (IS)në Siri dhe të PKK-së në Veri të Irakut nuk përbëjnë ndonjë kthesë në qendrimin e vendit anëtar të NATO-s kundrejt IS-it.

Sepse, qëllimi kryesor i goditjeve turke nga ajri nuk është luftimi i terroristëve xhihadistë që duan të krijojnë Kalifatin. Shumë më tepër duket, se qeveria në Ankara do të bëjë ç'është e mundur për të penguar krijimin e një territori të kontrolluar prej kurdëve përgjatë kufirit me Sirinë. Politikanët kryesorë turq ditët e fundit kanë bërë të qartë, se nuk mund të ketë vend për IS përgjatë kufirt turk - por as për një territor të administruar prej kurdëve.

Korrigjim i politikës turke ndaj Sirisë

Me sa duket Ankaraja do ta shfrytëzojë situatën e re të rrezikut nga IS, për të korrigjuar pasojat negative të politikës së dështuar të saj ndaj Sirisë. Siria siç dihet ishte "thelbi i politikës-problemi-zero", që konceptoi ish-ministri i jashtëm dhe sot kryeministër Ahmet Davutoglu. Davutoglu u angazhua në radhë të parë për hapjen e Turqisë në politikën e jashtme. Kësisoj ai bënte reklamë për një politikë të jashtme shumëdimensionale, që synonte bashkëpunimin maksimal me të gjithë fqinjët. Edhe me diktatorët arabë si sundimtari i Sirisë Bashar al-Asad.

Por kryengritja e shumicës sunite të popullsisë në Siri në mars 2011 çoi në prishjen me regjimin e Asadit. Më parë kishin dështuar edhe përpjekjet turke, për ta vënë në lëvizje Asadin që të hiqte dorë prej dhunës dhe të niste reformat demokratike. Përderisa Asadi u përqendrua vetëm tek përdorimi agresiv i dhunës kundër opozitës atërherë paqësore, qeveria turke e AKP-së mbështet qysh atëherë të gjitha forcat, që luftojnë kundër regjimit të tij të dhunshëm.
Për udhëheqjen e AKP-së ishte zhgënjyese, që Ankaraja nuk i posedonte instrumentat e nevojshëm, për të nxitur me sukses rrëzimin e Asadit. Për këtë arsye qeveria turke "i toleroi" aktivitetet e IS-it, derisa përmes kufirt turko-sirian shumë luftëtarë IS mundën të depërtojnë në territorin sirian të luftës. Nëse kemi të bëjmë këtu me mbështetje të qëllimshme, apo me "indifernecë" të vetëdijshme, kjo mbetet e hapur.

Çtensionim pragmatik

Tani Turqia është bërë vet viktimë e terrorit të pallogaritshëm të IS-it. Më së voni tani vendimmarrësit turq duhet t'i venë gishtin kokës lidhur me bashkëpërgjegjësinë e tyre për këtë zhvillim. E lidhur me këtë: edhe vendet arabe e shtetet perëndimore me në krye SHBA duhet t'i shtrojnë vetes pyetje kritike për tragjedinë siriane. Mosveprimi i tyre i ka lejuar sundimtarit Asad të zhvillojë një luftë të pamëshirshme kundër popullit të vet.

Aktualisht ka mjaft argumenta që flasin, se qeveria turke ka rënë dakord për një "deal" me SHBA-në: në kompensim për një rol më aktiv të Turqisë në luftën kundër IS Uashingtoni i siguron shtetit të NATO-s, që nuk do të ketë shtet kurd në Sirinë e coptuar. Gjithashtu të dy vendet planifikojnë krijimin e një zone sigurie në Veri të Sirisë përgjatë kufirit turk, ku mund të kthehen dy milionë refugjatët sirianë.

Politikanët e Europës do të bënin mirë, që ta mbështesin me logjistikë dhe financiarisht krijimin e kësaj zone sigurie për ta lehtësuar Turqinë. Për çtensionimin aq të domosdoshëm do të ishte e rëndësishme, që të shprehej më shumë mirëkuptim ndaj interesave turke. E njëkohësisht të influencohej drejt kthimit tek një proces i brendshëm paqeje në Turqi, për të kapërcyer ndarjen e thellë të shoqërisë atje. Turqia si partnere e pashmangshme për Europën duhet të mbrohet nga një luftë e mundshme në te fronte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat