Vuçiq: Kosova është pjesë e Serbisë

Lajme

Vuçiq: Kosova është pjesë e Serbisë

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 07:07

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka folur për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” për vizitën e tij në Srebrenicë dhe për raportet me shqiptarët.

Qëllimi i kryeministrit të Serbisë është që vendi i tij të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Por Aleksandar Vuçiq assesi nuk po arrin t’i shmanget hijes së të kaluarës së tij si ultranacionalist. Këtë e ka treguar së fundi edhe vizita e tij në Srebrenicë, ku u sulmua nga disa boshnjakë të mllefosur me rolin e tij në vitet 90-të.

Të hënën Vuçiq ka zhvilluar në Mynih me Qeverinë e landit të Bavarisë dhe me investitorë gjermanë. Me këtë rast Vuçiq i ka dhënë një intervistë gazetës “Süddeutsche Zeitung”, në të cilën ka folur për vizitën në Srebrenicë dhe për marrëdhëniet me Kosovën dhe Shqipërinë.

Në konstatimin e gazetës se presidenti serb Tomislav Nikoliq nuk po kontribuon për stabilitetin e rajonit, pasi që po e vë në dyshim pavarësinë e Kosovës, Vuçiq u përgjigj: “Sipas Kushtetutës së Serbisë Kosova është pjesë e Serbisë. Shqiptarët e Kosovës këtë e shohin ndryshe dhe besojnë se është shtet i pavarur. Serbia ka bërë shumë kompromise. Deri në samitin e ardhshëm të Ballkanit në Salzburg në fund të gushtit ne do të arrijmë disa marrëveshje të reja në rrugën e asociimit të Kosovës në BE”.

Vuçiq ka pranuar se ende mbeten shumë marrëveshje për t’u zbatuar, por është shprehur optimist që Kosova “nuk do të jetë burim i madh i jostabilitetit edhe për shkak se kemi ndërtuar marrëdhënie të mira me Shqipërinë”.

Sipas Vuçiqit raportet me Tiranën janë aq të mira tani, saqë ai thotë se e ka harruar ndeshjen e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë në tetorin e kaluar në Beograd.

“Pas incidentit Edi Rama erdhi në Beograd. Kjo ishte vizita e parë shtetërore e një kryeministri shqiptar në Serbi prej vitesh. Ne jemi në kontakt të ngushtë. Së shpejti unë me të do të shkojë në një ndeshje futbolli në Shqipëri”.

Në pyetjen e gazetës “Süddeutsche Zeitung” nëse Vuçiq do t’i nxjerrë serbët në referendum për të votuar mbi ndryshmin e statusit të Kosovës në Kushtetutën e Serbisë, ai është përgjigjur: “Njerëzit në Serbi nuk do ta akceptonin që të jenë të shtyrë ta pranojnë Kosovën si shtet të pavarur”.

Duke folur për vizitën e tij në Srebrenicë me rastin e 20-vjetorit të gjenocidit të trupave serbe ndaj popullsisë civile, Vuçiq tha se ai është përkulur para viktimave dhe nuk është kërrusur para gurëve. Edhe në këtë intervistë Vuçiq nuk ka pranuar të quajë masakrën e Srebrenicës me emrin e vërtetë: gjenocid. Vuçiq deklaroi se ka investuar shumë ide politike për të krijuar në ambient paqësor.

“Sot 90 për qind e serbëve për herë të parë thonë se disa serbë kanë kryer krime të tmerrshme. Serbët e kuptojnë se njerëzit në Bosnjë janë vuajtur shumë. Por vitin e ardhshëm ne do të shënojmë 75-vjetorin e kampit të shfarosjes Jasenovac, ku 95 për qind e viktimave kanë qenë serbët dhe hebrenjtë. A do ta miratojmë ne atëherë një rezolutë të OKB-së? Unë dyshoj”.

Vuçiq kërkoi më shumë vëmendje nga BE ndaj Ballkanit, duke përkujtuar se në këtë rajon njëherë ka filluar një luftë e madhe. Qëllimi strategjik i Serbisë, sipas tij, është të jetë pjesë e BE-së dhe jo e Unionit Euroaziatik të iniciuar nga Rusia.

Në lidhje me numrin e madh të refugjatëve nga Serbia që po kërkojnë azil në Gjermani, Vuçiq tha se nuk bëhet fjalë për azilkërkues. “Ata vetëm duan paratë gjermane. Po bëjmë ç’po mundemi për të përmirësuar standardin e tyre të jetës këtu. Për këtë na duhet mbështetje juaj (gjermane, v.j.). Ne jemi klasifikuar si vend i sigurt. Shumica e njerëzve që braktisin Serbinë janë romë. Por te ne nuk ka kundërshtarë politikë të romëve. Megjithatë, ne shqetësohemi për situatën e tyre”.

Në vërejtjen se autoritetet serbe kanë shkatërruar një vendbanim të romëve në Beograd, Vuçiq tha se romëve të shpërngulur u janë blerë banesa, por ata i kanë shitur ato dhe janë kthyer për të jetuar në baraka.

Vuçiq ka treguar se në Serbi për çdo ditë regjistrohen mes 800 dhe 1000 refugjatë nga vendet e tjera, por “ne jemi vend transitor, jo më shumë. Rroga mesatare te ne është 380 euro, kjo nuk është aq atraktive”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat