FMN: Kjo Qeveri ka trashëguar një buxhet mjaft të keq për vitin 2015

Lajme

FMN: Kjo Qeveri ka trashëguar një buxhet mjaft të keq për vitin 2015

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 20:01

Drejtues të Ministrisë së Financave kanë sqaruar sot marrëveshjen dhe programin që kanë arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe rregullat fiskale që kanë qenë në programin e Qeverisë e që janë vendosur në programin e FMN-së. Me këtë rast, zyrtarë të FMN-së thanë se kjo Qeveri praktikisht ka trashëguar një buxhet mjaft të keq për vitin 2015.

Ministrit i Financave, Avdullah Hoti tha se qëllimi kryesor i këtij takimi është që ta qartësojnë edhe një herë marrëveshjen dhe programin që kanë arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar, sepse disa informata, sipas tij, kanë qenë jo të sakta dhe jo të drejta për marrëveshjen me FMN.

Hoti: Me kohë kemi thënë se buxheti nuk prezanton gjendjen reale

“Qëllimi kryesor i këtij takimi është që ta qartësojmë edhe një herë marrëveshjen dhe programin që kemi arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar, sepse disa informata kanë qenë jo të sakta dhe jo të drejta për marrëveshjen me FMN. Në fund të vitit të kaluar, më 29 dhjetor ne kemi aprovuar në Kuvendin e Kosovës projekt buxhetin e Kosovës për vitin 2015. Edhe atëherë kemi thënë se ai buxhet në disa aspekte nuk prezanton gjendjen reale për të hyrat dhe rrjedhimisht tek shpenzimet. Atëherë kemi thënë se do e rishikojmë këtë buxhet në mesin e vitit”, tha Hoti.

Sipas tij, në shkurt është aprovuar programin qeverisës, i cili ka një varg të reformave fiskale, reformave administrative, reformave strukturore etj. Ai tha se në këtë program janë futur, mes tjerash, Ligji i prokurimit publik, aplikimi i prokurimit elektronik, si dhe nevoja për të hyrë në marrëveshje ndërkombëtare për kredi të buta për të financuar projekte.

Hoti: Reformat fiskale

“Në janar përfundimisht në shkurt kemi aprovuar programin qeverisës, i cili ka një varg të reformave fiskale, reformave administrative, reformave strukturore etj... Program është miratuar në Qeveri për diskutim në Kuvend... dhe është diskutuar gjerësisht në Kuvend. Në këtë program është futur psh. Ligji i prokurimit publik, aplikimi i prokurimit elektron ik, si dhe nevoja për të hyrë në marrëveshje ndërkombëtare për kredi të buta për të financuar projekte. Nevoja që ne të kemi një rregull fiskal sa i përket rritjes së pagave, që të mos ketë rritje të menjëhershme 25 për qind, por të ketë rritje të vazhdueshme... Pra, të gjitha këto kanë qenë pjesë e programit qeverisës,”, tha Hoti.

Ministri Hoti tha se plot pika tjera e kanë fuqizuar pozicionin e Qeverisë së Kosovës karshi partnerëve ndërkombëtarë. Sipas tij, ajo që është thënë gjithmonë, Kosova ka nevojë që të hyjë në projekte të mëdha kapitale të cilat nuk mund të financohen përmes buxhetit të rregullt.

Hoti: Pozicioni i Qeverisë karshi partnerëve ndërkombëtarë

“Plot pika tjera e kanë fuqizuar pozicionin e Qeverisë së Kosovës karshi partnerëve tonë ndërkombëtar, ajo që kemi thënë gjithmonë ne, nevojat që ne të hyjmë në projekte të mëdha kapitale të cilat nuk mund të financohen përmes buxhetit të rregullt, dhe si rezultat ne kemi arritur marrëveshjen me FMN që të ndryshojmë rregullat fiskale, të respektojmë deficitin buxhetor prej 2 për qind... por mbi këtë 2 për qind ne të hyjmë në kredi të buta ndërkombëtare. I kemi identifikuara projektet kryesore, i kemi ndarë këto projekte me fondin ndërkombëtar... Dëshiroj ta sqaroj se programi Qeverisë me Fondin Ndërkombëtar është reflektim i objektivave qeverisëse që ka Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ai tutje tha se nuk është program i një anshëm, dhe se Qeveria e Kosovës nuk ka nevojë për program me Fondin Monetar, sepse vendi nuk është në pozitë të vështirë fiskale. Sipas tij, kanë hyrë në program me Fondin Monetar për të ndihmuar Qeverinë në disa reforma që janë fundamentale.

Hoti: Qeveria nuk është në pozitë të vështirë

“Nuk është program i njëanshëm... Qeveria e Kosovës nuk ka nevojë për program me Fondin Monetar, sepse nuk jemi në pozitë të vështirë fiskale. Kemi hyrë në program me Fondin Monetar për të na ndihmuar si qeveri në disa reforma që janë fundamentale dhe për të hapur mundësi që ne të marrim financim prej organizatave ndërkombëtare, për të ndryshuar rregullën fiskale , për të mundësuar implementimin e këtyre projekteve që hapin mundësit zhvillimore të vendit gjithmonë duke ruajtur pozicionin e mire fiskal të cilën e kemi si Qeveri”, tha Hoti.

Përfaqësuesi i FMN-së, Ruud Vermeulen me këtë rast theksoi se Qeveria praktikisht ka trashëguar një buxhet mjaft të keq për vitin 2015 dhe ka qenë shumë e qartë se kjo Qeveri e re se nuk ka pasur dëshirë të vazhdojë me atë, por ka dashur të korrigjojë.

Vermeulen: Jemi të gatshëm të mbështesim Qeverinë

“Më lejoni të theksoj vetëm disa gjëra që kemi diskuar me Qeverinë dhe që jemi të gatshëm të mbështesim Qeverinë... Qeveria praktikisht ka trashëguar një buxhet mjaft të keq për vitin 2015 dhe ka qenë shumë e qartë se Qeveria e re nuk ka pasur dëshirë të vazhdojë me atë, por ka dashur të korrigjojë me atë buxhet. Dhe natyrisht ne si FMN ishim shumë të lumtur të mbështesim Qeverinë në këtë pikë, sepse në fund të fundit ky është edhe roli ynë”, tha Vermeulen .

Sipas tij, pjesët kryesore të rregullës fiskale janë të njëjta, nuk janë ndërruar duke përfshirë edhe limitin prej 2 për qind të deficitit. Por në rregullin fiskal ka pasur një dispozitë që në rastet e caktuara të fondeve mund të përdoren për investime kapitale.

Vermeulen: Të bëjmë një ndryshim në rregullën fiskale

“Por, ka qenë edhe një gjë shtesë... Inovacioni ka qenë që Qeveria ka thënë se ne dëshirojmë ta kontrollojmë buxhetin po në të njëjtën kohë Kosova ka nevoja të mëdha zhvillimore...kemi ardhur deri te një zgjidhje. Zgjidhja ka qenë ashtu siç tha ministri që të bëjmë një ndryshim në rregullën fiskale. Pjesët kryesore të rregullës fiskale janë të njëjta, nuk janë ndërruar duke përfshirë edhe limitin prej 2 për qind të deficitit...Por në rregullin fiskal ka pasur një dispozitë... që në rastet e caktuara të fondeve mund të përdoren për investime kapitale”, tha Vermeulen.

Gjithashtu përfaqësuesi i FMN-së tha se kjo dispozitë ligjore, që veç ka qenë në rregullën fiskale, tash do të ndërrohet në mënyrë që t’i lejohet qeverisë që të marrë kredi nga institucionet ndërkombëtare. Sipas tij ka pasur disa gjëra që kanë qenë në programin e Qeverisë që janë vendosur në programin e FMN-së. Mirëpo, iç tha ai, ato që kanë qenë më të rëndësishmet janë vendosur në program.

Ndryshe, sipas ministrit Hoti pritet që nga Banka Botërore gjatë këtij viti të këtë donacione për disa projekte, edhe pse nuk ka treguar se sa pritet të jetë shumë e këtyre mjeteve./I. Shabani/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat