"Nëse vdisni në Ballkan askush nuk do t’ju kërkojë"

Lajme

"Nëse vdisni në Ballkan askush nuk do t’ju kërkojë"

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 15:31

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, ka publikuar një raport për keqtrajtimin e refugjatëve dhe migruesve në Ballkan, duke kritikuar politikat e strehimit në BE.

Mijëra refugjatë dhe migrues përfshirë fëmijë, që po marrin rrugën e rrezikshme nëpër Ballkan, po pësojnë dhunë dhe zhvatje nga autoritetet dhe bandat kriminale dhe janë braktisur turpshëm nga sistemi i dështuar i strehimit dhe migrimit të Bashkimit Evropian i cili i ka lënë ata të kurthuar e pa mbrojtje në Serbi dhe Maqedoni, thuhet në raportin e ri të organizatës “Amnesty International”.

Dhuna ndaj migruesve dhe refugjatëve në Maqedoni, Serbi e Hungari, dëshmon se një numër në rritje i njerëzve në nevojë, janë lënë në harresë në një boshllëk ligjor gjithandej Ballkanit. Situata është përkeqësuar nga kthimet dhe dëbimet në çdo kufi, qasja e kufizuar në strehim dhe mungesa e rrugëve të sigurta e ligjore në BE.

“Refugjatët që ikin nga luftërat dhe përndjekjet, e bëjnë këtë rrugë nëpër Ballkan me shpresën se do të gjejnë siguri në Evropë, për ta gjetur veten si viktimë të dhunës e shfrytëzimit dhe në mëshirën e një sistemi të dështuar të strehimit”, tha Gauri van Gulik, zëvendësdrejtor i Amnesty International për Evropën dhe Azinë qendrore.

“Serbia dhe Maqedonia janë shndërruar në një batak të vërshimit të refugjatëve dhe migruesve të cilët duket se askush në BE nuk është i gatshëm t’i pranojë”.

Organizata e të drejtave të njeriut ka intervistuar 100 refugjatë dhe migrantë nga korriku i 2014-s deri në mars të 2015, në Serbi, Hungari, Greqi dhe Maqedoni. Sipas saj, shumë refugjatë dhe migrues janë burgosur arbitrarisht nga autoritetet. Me qindra, përfshirë familje, gra shtatzëna dhe fëmijë të pashoqëruar, janë mbajtur në periudha të gjata në Qendrën maqedonase për Pranimin e të Huajve – e njohur si Gazi Baba – pa asnjë masë mbrojtëse ligjore apo mundësi për të kërkuar strehim.

“Në Gazi Babë, ishin mbi 400 apo 450 veta kur arritëm ne…Njerëzit po flinin edhe nëpër shkallë dhe mbipopullimi ishte i tmerrshëm. Kishte dyshekë në dysheme dhe në korridore”, i tha organizatës një refugjat sirian.

"Kam parë një burrë të dhunuar. Ata kanë rrahur edhe fëmijën tim 13 vjeç. Edhe mua më kanë dhunuar", shprehet një emigrant nga Afganistani për "Amnesty".

Të tjerë i thanë organizatës se ata ishin rrahur ose ishin dëshmitarë të rrahjeve nga oficerët e policisë në Gazi Babë dhe njeri rrëfeu se, kur disa sirianë kërcënuan me grevë urie, një polic u tha “nëse vdisni këtu, askush nuk do t’ju kërkojë. Ne do të hedhim kufomat tuaja përjashta”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat