Krijimi i FAK-ut, si do të bëhet? A do të ketë kompromise?

Lajme

Krijimi i FAK-ut, si do të bëhet? A do të ketë kompromise?

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 7 korrik 2015 Në ora: 09:41

Formimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, po vihet në pikëpyetje të madhe, pasi pika më e ndjeshme është sigurimi i votave të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës. Një vështirësi të tillë po e imponon Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Për transformimin nga FSK-ja në FAK, kërkohet votimi i ligjit në Kuvend, respektivisht ndryshim i emërtimit të kapitullit 10 dhe nenit 126. Kapitulli 10 i Kushtetutës duhet të riemërohet nga emërtimi i tanishëm “Sektori i sigurisë”, në “Sektori i mbrojtjes dhe sigurisë”; ndërsa neni 126 duhet të ndryshohet në tërësi. Pasi që këto ndryshime hynë në kategorinë e ndryshimeve kushtetuese, në aspektet praktike për votimin e këtyre ndryshimeve, në kuadër të së paku 2/3 të votave të nevojshme, duhet të jenë së paku 14 vota të deputetëve që vijnë nga partitë e komuniteteve. Në një skenar të mundshëm ku do të votonin të gjithë komunitetet joserbe, është pra e nevojshme të jenë së paku edhe 4 vota të deputetëve nga komuniteti serb, kurse aktualisht në Kuvend ka një shpërndarje të tillë të ulëseve ku vetëm një prej deputetëve serb nuk i takon Listës Serbe. Një votim i tillë, është i mundshëm, por kjo ndodh vetëm me kompromis politik.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, potencon se, sipas Kushtetutës së Kosovës deri më tani është e paraparë që për miratimin e Ushtrisë së Kosovës duhet të votojnë dy të tretat e Parlamentit të Kosovës e si pjesë e këtij votimi duhet të jenë edhe serbët. “Ana demokratike e jetësimit të këtyre akteve juridike të cilat janë miratua prej po këtyre deputetëve e sipas planit të Ahtisarit gjithçka që miratohet me vullnetin e deputetëve e paraparë sipas Kushtetutës së Kosovës, e ka jetën ma të gjatë dhe prandaj është demokratike. Mos votimi i deputetëve serbë, mund të shkaktoj dëmë dhe probleme në jetësimin e Kushtetutës për formimin e Ushtrisë së Kosovës. Mendoj se duhet të gjendet modeli që të arrihet marrëveshja edhe me serbët, sepse Ushtria është element i shtetësisë së Kosovës”, thotë Tërnava për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, analisti politik Krenar Shala, thotë se, dihet që votimi nga ana e bashkësive të tjera etnike është i domosdoshëm për të kaluar ligjin që e shndërron FSK-në në Forca të Armatosura. “Edhe pse Lista Serbe është duke rezistuar në miratimin e këtij ligji, FSK, me mbështetjen e vendeve të fuqishme të NATO-s pritet të transformohet në ushtri. Problemi qëndron në faktin që për te bërë të mundur këtë gjë, çështja e FSK-së mund të jetë objekt diskutimi në mes të Serbisë dhe Kosovës gjë që pashmangshmërisht mund të rezultojë me ndonjë kompromis tjetër në dëm të Kosovës”, thekson Shala për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat