Aktakuzë, për vepra penale qe ndërlidhen me korrupsionin

Lajme

Aktakuzë, për vepra penale qe ndërlidhen me korrupsionin

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 16:37

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë kundër tetë personave. Prej tyre: një ish sekretar permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, një drejtor i Departamentit Farmaceutik në Ministri të Shëndetësisë, një ish menaxher i Departamentit të Prokurimit në këtë ministri, tre persona zyrtar në cilësinë e anëtarit të komisionit për mbikëqyrjen e kontratës dhe kundër dy bashkëpronarëve të një biznesi privat.

Të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprave penale: “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 422, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; “Mashtrimi”, sipas nenit 261, paragrafi 2, lidhur me nenin 23, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Shmangia nga tatimi”, në bashkëkryerje, nga neni 249, paragrafi 1, e lidhur me nenin 23, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza ka të bëjë me katër aktivitete të prokurimit publik, të iniciuara nga Ministria e Shëndetësisë gjatë vitit 2011, “Klasifikimi dhe shkatërrimi i barnave me afat të skaduar”, “Furnizim me infuzione”, “Renovimi gjeneral i aneksit të emergjencës ekzistuese në QKUK” dhe “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne në repartin e ri për dializë në QKUK”, ku si pasojë e shkeljeve është dëmtuar buxheti i shtetit në vlerë rreth 700,000.00 euro.

Në këtë çështje penale janë ngrirë dy prona të paluajtshme (parcela kadastrale) dhe një ndërtesë, të cilat janë përfituar nga kryerja e veprave penale.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili për veprat me të cilat të pandehurit ngarkohen sipas aktakuzës, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe të dënojë sipas ligjit.

Edhe kjo aktakuzë është ngritur në vazhdën e luftës kundër korrupsionit dhe në kuadër të përkushtimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për rritje të efikasitetit të luftës kundër korrupsionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat