Jabllanoviq: Deputetëve nuk duhet dhënë mundësia që të votojnë përsëri për Specialen

Lajme

Jabllanoviq: Deputetëve nuk duhet dhënë mundësia që të votojnë përsëri për Specialen

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 16:11

Lideri i Listës Serbe, Aleksandër Jabllanoviq, në një intervistë për Radio Dukagjinin ka thënë se nuk mendon se deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duhet dhënë një shans i dytë për ta votuar Gjykatën Speciale.

Jabllanoviq ka theksuar se është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, që të gjykohen të gjitha krimet dhe autorët të dënohen.

“Në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës është që të gjitha krimet e kryera në vitin 1998, 1999, 2000, madje dhe më vonë, të hetohen dhe kryesit krimeve të dënohen. Ligjin për Gjykatën Speciale nuk duhet ndërlidhur me asnjë emër”, ka thënë ai.

Sipas tij, ndarja që u bë në Kuvend për këtë çështje, është e dëmshme për partitë politike, por në veçanti për qytetarët e Kosovës.

Duke folur për mundësinë që çështja e formimit të Gjykatës Speciale, të kalojë në Këshillin e Sigurimit (KS) të OKB-së, Jabllanoviq tha se Kosova është nën protektoratin e OKB-së dhe vazhdon të jetë në fuqi Rezoluta 1244.

“Mendoj se Kombet e Bashkuara kanë të drejtë të plotë që të ndërhyjnë në çdo situatë që organet lokale nuk mund ta zgjidhin. Institucioneve të Kosovës i është shkaktuar humbje e madhe, për faktin se nuk kanë qenë në gjendje të vlerësojnë se çka është në interesin e tyre. Në interes të tyre është, që pa marrë parasysh emrin dhe mbiemrin, vendin dhe opsionin politik që i përkasin kriminelët, ata të dënohen”, ka theksuar ai.

Për votimin apo jo të themelimit të FAK-ut, Jabllanoviq tha se pret që fillimisht të bisedohet me partnerët e koalicionit, meqë biseda të tilla nuk ka pasur.

Kjo, sipas tij, për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura, duke shtuar se janë të mendimit që Forca e Armatosur e Kosovës (FAK), nuk duhet të formohet në këtë moment.

Ai mohoi që FAK-u të jetë kushtëzuar me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, meqë, sipas liderit të Listës Serbe, këto janë dy çështje të ndara, duke shtuar se pret që për Asociacionin e Komunave Serbe të ketë marrëveshje në Bruksel.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat