Konferenca jubilare e OSBE-së, hapet me mbledhjen e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë së Përgjithshme

Lajme

Konferenca jubilare e OSBE-së, hapet me mbledhjen e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë së Përgjithshme

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 11:23

Në Pallatin e famshëm Finlandia, u zhvillua Mbledhja e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë së Përgjjithshme të OSBE-së (Organizatës së Sigurimit dhe Bashkëpunimit Evropian), e cila zhvillohet në kuadër të Konferencës jubilare të OSBE-së.
Pikërisht këtu para 40 vjetësh, më 1975, u mblodhën pjesa më e madhe e kryetarëve të shteteve evropiane, SHBA-së dhe Kanadasë, duke rënë dakort për Sigurimin dhe Bashkëpunimin ndërmjet tyre si dhe duke nënshkruar “Aktin Final të Helsinkit”.

Shqipëria e njohu OSBE-në më 1991, kur Presidenti i at’hershëm Ramiz Alia nënshkroi pikërisht në Pallatin Finlandia “Aktin Final të Helsinkit”.
Në Konferencën e tanishme Jubilare të 40-vjetorit të Samitit të at’hershëm të Helsinkit Shqipëria përfaqësohet nga Kryetarja e Delegacionit të Përhershëm Shqiptar në OSBE, deputetja Arta Dade, njëkohësisht Kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë.

Në Punimet e Komitetit të Përhershëm të OSBE-së, të zhvilluara sot pasdite në Pallatin Finlandia, u debatua gjatë lidhur me moslejimin e pjesmarrjes së kryetarit të delegacionit të përhershëm rus në OSBE njëkohësisht edhe Kryetar i Dumës (Parlamentit) rus, Sergej Narijshkin, dhe disa anëtarëve të tjerë, të cilëve u është ndaluar udhëtimi në BE apo SHBA pas ngjarjeve të Ukrainës.

Kryetari i Delegacionit të tanishëm rus, Kovaljev, argumentoi gjatë “gabimin e Qeverisë Finlandeze për mosdhënie vize”, që sipas tij është në kundështim me frymën e Mbledhjes së Helsinkit të 1975-ës dhe të vetë parimeve të OSBE-së gjatë këtyre 40-vjetëve të ekzistencës së saj.

Në Mbledhjen e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë së Përgjithshme u mbajtën zgjedhjet për Sekretarin e ri të Përgjithshëm të OSBE-së për periudhën 2016-2021.
Në zgjedhjet e fshehta hodhën votën e tyre 52 kryetarë delegacionesh, ndër të cilët 46 votuan pro kandidatit të propozuar nga Byroja e OSBE-së, italiani Roberto Montella, ndërkohë që 3 abstenuan dhe 3 votuan kundër. Sekretari i ri fillon nga detyra me 1 Janar të vitit të ardhshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat