Greqi, Varoufakis konfirmon qëndrimin e tij: Jap dorëheqjen nëse votohet ‘Po’-ja

Lajme

Greqi, Varoufakis konfirmon qëndrimin e tij: Jap dorëheqjen nëse votohet ‘Po’-ja

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 15:31

I pyetur nga gazeta gjermane “Bild” mbi mbarëvajtjen e referendumit që është duke u zhvilluar gjatë kësaj të diele në Greqi mbi paketën e ndihmave kundrejt reformave të ofruar nga huadhënësit ndërkombëtarë të Athinës, ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis, ka përforcuar qëndrimin e tij.

“Absolutisht që po. Do të jap dorëheqjen nëse votohet në favor të ‘Po’-së, por jam i bindur se shumica nuk do ta votojë këtë alternativë”, ka deklaruar Varoufakis pikërisht kundrejt pyetjes nëse i qëndronte premtimit se do të jepte dorëheqjen nëse rezultati i referendumit do të ishte ai që nuk pritet prej qeverisë së radikalëve të majtë.

Ndërkohë, shefi i “Bundesbank”-ut, Jens Weidmann, ka paralajmëruar kabinetin e drejtuar nga Angela Merkel se një dalje e mundshme e Greqisë nga Eurozona do të shkaktonin një “vrimë” me vlerë miliarda euroshe në buxhetin e Gjermanisë.

Lajmi është publikuar nga e përditshmja gjermane e biznesit “Handelsblatt”, e cila citon burime qeveritare. Gazeta shton se Weidmann ka paralajmëruar se kostoja e “Grexit” do të godasë përfitimet e “Bundesbank”, të cilat derdhen në buxhet. Sipas saj, dalja e Greqisë nga zona e monedhës së përbashkët do të nënkuptonte që “Bundesbank” të humbiste më shumë sesa 14,4 miliardë eurot e hequra mënjanë, duke parashikuar ndonjë krizë të euros, sepse do të zhvlerësoheshin letrat me vlerë të Greqisë të blera nga banka qendrore.

Ende asnjë burim zyrtar në Gjermani nuk e ka konfirmuar këtë deklaratë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat