Policia në kërkim të vrasësit të turistëve çekë, u bën thirrje banorëve të mos e strehojnë

Lajme

Policia në kërkim të vrasësit të turistëve çekë, u bën thirrje banorëve të mos e strehojnë

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 14:36

Siç raportojnë mediat shqiptare, autori i vrasjes së dy turistëve çekë është një person i skeduar si i rrezikshëm dhe me precedentë penalë dhe i identifikuar me inicialet, S.M. 23 vjeç fshihet në një zonë të thellë të Dukagjinit, përkatësisht në fshatin Grudë, në afërsi të Shkodrës.

Po sipas medieve shqiptare, nga informacionet brenda Policisë, mësohet se ka nisur operacioni për kapjen e tij. Policia e ka lokalizuar vendndodhjen e autorit të dyshuar dhe po rrethon zonën, në mënyrë që ai të mos arratiset.

Tashmë mbetet vetëm çështje orësh deri sa Policia të bëjë të mundur kapjen e autorit.

Supozohet se ky i fundit mund të jetë i armatosur dhe i lënduar për shkak të aksidentit që ndodhi me automjetin e dy turistëve çekë.

Ai është nga fshati Pult i Shkodrës dhe ka qenë person i skeduar në operacionet e antikanabis të Policisë së Shkodrës në zonën e Dukagjinit.

Gjithashtu, policia thotë se autori ka qenë edhe pjesë e grupit të zjarrit që qëlloi helikopterin e policisë gjatë këtij operacioni.

Një nga dyshimet e policisë është se autori ka dashur të rrëmbejë automjetin e dy turistëve çekë, të cilin do ta përdorte më vonë për të transportuar kanabis.

Mirëpo mund të ketë hasur në mosbindjen e dy turistëve dhe mund t’i ketë qëlluar pas kësaj. Automjeti me të cilin udhëtonin çekët, i tipit “Nissan”, ishte automjet i ndërtuar për të lëvizur në terrenet më të vështira malore.

“U zbulua autori i vrasjes se cifti Cek. – Sokol Fran Mjacaj, dtl 14.02.1995, lindur dhe banues ne Lotaj/Dukagjin/Shkoder.. I denuar me pare per vjedhje me pasoje bdekjen e nje femije ne bashkpunim ne vitin 2010. Ka bere pese vjet burg dhe ka dale nga burgu para nje muaji. Autoresia eshte vertetuar shkencerisht me disa gjurme daktiloskopike ne brendesi te mjetit. Eshte dokumentuar plotesisht. Motivi mendohet te jete grabitja e makines. Policia ne ndjekie te autorit. Eshte rrethuar zona e Grudes . Policia i ben thirrje banoreve te mos strehojne autorim dhe te kontribuojne ne kapjen e tij”, thuhet ne njoftimin e Policisë, raportojnë mediat shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat