Imet Rrahmani: Mos pritni mrekulli në shëndetësi (Video)

Lajme

Imet Rrahmani: Mos pritni mrekulli në shëndetësi (Video)

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 12:32

E pranon se gjendja në shëndetësinë e Kosovës nuk është e mirë. Por, nuk jep fjalë të mëdha se kjo gjendje do të përmirësohet shumë gjatë mandatit të tij.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, thotë se për nga natyra është shumë i matur në vlerësime.

“Si ministër them se po punojmë shumë që ta përmirësojmë sistemin shëndetësor, por pritjet nuk duhet të jenë shumë të mëdha”, thotë ai, në një intervistë për Ekonomia Online.

Rrahmani, mjek me profesion, thotë se vetëm kur fillon të merresh direkt me problemet në shëndetësi, e kupton se ka nevojë të punohet 24 orë, çdo ditë.

“Është në përgjithësi një perceptim në shoqëri që çdo gjë është keq në shëndetësi, mirëpo unë mund të them se kemi shumë lëvizje pozitive dhe pika të ndritshme në shëndetësi që duhet të potencohen”, thekson ai.

Në 6 muajt e parë të mandatit, thotë se është fokusuar në vazhdimin e reformës së nisur në sistemin shëndetësor.

“Kjo reformë nuk ka datë, afat apo ligj por ajo duhet të kuptohet si proces”.

Rrahmani rikujton se ishte “i sinqertë” edhe në fillim të mandatit, kur e tha troç se Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk mund të fillonte më 2015, megjithëse kjo ishte premtuar nga ministri paraprak.

Tani thotë se Fondi pritet të nisë të funksionojë në pjesën e dytë të vitit 2016. Kurse, mbledhja e premiumeve ose kontributeve, pritet të nisë në tre muajt e fundit të këtij viti.

“Aktualisht, jemi duke punuar me intensitetin më të madh të mundshëm në funksionalizimin e Agjencisë së Financimit Shëndetësor (AFSh), sepse duhet pranuar që përkundër deklarimeve dhe punëve që janë bërë më herët, kjo agjenci ende është në fazën e tij fillestare te funksionimit. Shpresoj që në Qeveri, në mbledhjen e radhës, ta kalojmë rregulloren për AFSh-në dhe të fillojmë rekrutimin, dhe gjetjen e personelit që është i domosdoshëm në këtë fazë. Sa për informim, AFSh-ja është paraprijës i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, shpjegon ministri Rrahmani.

Në intervistë për EO, Rrahmani flet dhe largimin e mjekëve nga Kosova, për shkak të mungesës së perspektivës këtu.

Ai thotë se “ikja” e mjekëve nuk është trend vetëm në Kosovë.

Pse sipas tij, kjo lidhet edhe me çështjen e shumëpërfolur të specializimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat