Poshtërimi i luftës, i Ministrisë së Mbrojtjes! Republika në ekzil

Lajme

Poshtërimi i luftës, i Ministrisë së Mbrojtjes! Republika në ekzil

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 12:07

E majta ia doli që përveç marrjes së meritave për luftën tash e sa vjet nëpërmjet propagandës, dhe kryesisht të gjuhës së forcës, që ta shpall të dështuar organizimin ushtarak të bërë nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës. Madje ata nuk kanë ngurruar që ta quajnë “Ministria e qeverisë në ekzil”. Cili dokument shtetëror i kohës e quan, qeveri në ekzil dhe Republikë në ekzil!
Këtë lloj terminologjie të bjerrur kafeneve dhe rrugëve të kohës, e ka artikuluar Komisioni qeveritar për veteranët me kryetar Agim Çekun, ushtarakun e fundit që iu bashkua luftës në Kosovë, dhe atë krahut paralel, jo institucional.
Si mundet së pari që të zyrtarizohet një emërtim kaq jo shkencor, kaq jo politik, kaq jo historik, dhe kaq anti shqiptar madje.
Pse atëherë Kuvendi i Kosovës të enjten mbajti seancë solemne, kushtuar 25 Vjetorit të Shpalljes së Kosovës Republikë, në vitin 1990, i cili akt i parapriu edhe krijimit të Qeverisë së Kosovës, e cila u detyrua të vepronte në ekzil, kryesisht për të menaxhuar financat, meqë ato duhej të ndihmonin institucionet në Kosovës, Presidencën, arsimin, shëndetësinë, këshillat komunale etj. Por, mbi të gjitha po kjo qeveri u detyrua të merret edhe me organizimin e luftës, dhe fitorja më e madhe, historike dhe e ruajtur deri në fund, është ajo e Koshares, e cila u krye dhe u udhëhoq pikërisht nga ky organizim, i institucioneve të Republikës së Kosovës!
Edhe më parë kemi shkruar, se nëpërmjet ligjit për veteranët qëndron kryepërpjekja e të majtës, ish LPK-së, për ta shkruar historinë si ata kanë dashur vetë. Të njohin dhe të mosnjohin merita, të shpallin trima e tradhtarë, ata që meritojnë apo nuk meritojnë. Këtë dikur e bënin nëpërmjet komunikatave, por tani nëpërmjet forcës së ligjit!
Dhe çuditërisht thuaja asnjë reagim i vetëm, apo të gjitha janë të mekëta, ndërsa ka 24 orë që jemi përmbytur me reagime për tragjedinë e çiftit çek, që padyshim është për tu dënuar, po pse dhe si harrojmë e varrosim interesat tona të përgjithshme e kombëtare, a nuk është e çuditshme kjo!
Ta quash “Republikë në Ekzil”, republikën e krijuar nga presidenti Rugova, të udhëhequr nga ai, dhe që sot argumentohet si politika, që krijoi parakushtet - besimin, për ndërhyrjen e NATO-s, nën një është:
1.Vrasje për së vdekuri e presidentit Rugova;
2. Vrasje e të kaluarës tonë historike;
3. Tradhti kombëtare;
4. Legjitimim i dhunës, dhe akteve anti shqiptare të Serbisë, dhe regjimit të Millosheviqit;
5. Poshtërim i heronjve të luftës, që luftuan nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes; Ahmet Krasniqit, Agim Ramadanit, Salih Çekajt, Abas Thaçit, etj...
6. Luftëtarët dhe ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes nuk bën luftë në ekzil, por në tokën e tyre, në Kosovë.
Numërimi i fakteve mund të shkojë në pafundësi, por besojmë se edhe vetëm këto tregojnë pafytyrësinë politike në Kosovë, dhe këtë turpërim nuk duhet ta lejojë as kryeministri z.Isa Mustafa. I. M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat