Edhe një javë hapet pishina e Gërmisë

Lajme

Edhe një javë hapet pishina e Gërmisë

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 16:51

Fillimisht është përfolur që renovimi i pishinës së Gërmisë do të përfundojë vitin e kaluar por nuk ndodhi. Pastaj është përfolur që zvogëlimi i thellësisë së pishinës nga 4.1 në 2 metra do të përfundojë në fillim të kësaj sezone, më saktësisht në qershor, por as atëherë nuk ndodhi. Tashmë mësohet se hapja e kësaj pishine do të bëhet me datën 11 korrik, pasi që kanë përfunduar pothuajse të gjitha përgatitjet dhe mësohet se kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla gjerë në hapjen solmne.

Emrush Hyseni, menaxhues i pishinës në Gërmi nga kompania Sport Marketing, tha se të gjitha përgatitjet kanë përfunduar dhe pishina është kah fundi i mbushjes me ujë. Sipas tij, këtë vit siguria në pishinë do të jetë shumë më e madhe dhe niveli i pastërtisë do të jetë shumë i mirë.

Hyseni: Pishina është në fund të mbushjes me ujë

“Liqeni i Gërmisë ka filluar renovimin në vitin 2013 dhe për shkak të renovimeve në vitin 2014 nuk ka punuar. Deri më tani kanë vijuar investimet,para pak ditësh thuajse janë në përfundim e sipër… është bërë renovimi tash thuajse tërësisht, ne Sport Marketingu i kemi marr të gjitha masat për fillimin e sezonit veror 2015…ne po planifikojmë sipas parashikimeve tona me 11.07 me u hap, nëse na shkon çdo gjë në rregull…pishina veç është kah fundi i mbushjes së ujit. Është zvogëluar niv eli i ujit…mbi të gjitha do të jetë siguria shumë më e madhe sesa viteve paraprake, ka me qenë niveli i pastërtisë më i mirë …presim fluks të qytetarëve në Prishtinë dhe më gjerë të na vizitojnë dhe ne ju premtojmë nuk do të ju zhgënjejmë”, tha Hyseni.

Hyseni tha se meqë në Prishtinë ka mungesë pishinash dhe i vetmi vend për relaksim është pishina e Gërmisë, janë munduar që të sigurohen kushte të favorshme për vizitorët e kësaj pishine.

Sa i përket çmimeve, Hyseni tha se do të jenë të volitshme dhe të arsyeshme për qytetarët.

Hyseni: Çmimet do jenë të arsyeshme

“Çmimet i kemi shumë të lira, është 2 euro për vizitor të rritur, ku përfshihet edhe TVSh…për të vegjlit deri në 14 vjet është 1 euro”, tha Hyseni.

Investimi në renovimin e kësaj pishine është bërë nga Komuna e Prishtinës.

Ndërsa, lidhur me shfrytëzimin e pishinës për patinazh gjatë muajve të dimrit, Hyseni tha se edhe pse nuk ka ende asgjë definitive, por në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës ekziston mundësia që për patinazhi të zhvendoset diku në qendër të Prishtinës dhe jo në pishinë të Gërmisë.

Kjo pishinë do të jetë në shfrytëzim të qytetarëve për pothuajse një muaj e gjysmë, më saktësisht deri më datën 31 gusht, atëherë kur edhe do të bëhet mbyllja e sezonës së verës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat