Çfarë diskriminimi: Kryetari i Malishevës thotë se Fetah Rudi s’mund të jetë Nënkryetar komune pse është invalid

Lajme

Çfarë diskriminimi: Kryetari i Malishevës thotë se Fetah Rudi s’mund të jetë Nënkryetar komune pse është invalid

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 11:29

Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj nuk po e pranon për Nënkryetari një person i cili lëviz me karrocë të invalidëve. Begaj e ka quajtur Fetah Rudin person që s’mund të mbajë pozitën e Nënkryetarit për shkak të problemeve shëndetësore. Në këtë mënyrë, Kryetari i Malishevës ka bërë diskriminim të hapur ndaj një invalidi.

Kah fundi i shkurtit të këtij viti ishte arritur një marrëveshje për koalicion qeverisës mes Nismës për Kosovën dhe LDK-së në Malishevë ku LDK-së i ishin dhënë 3 drejtori dhe pozita e nënkryetarit të komunës.

Por përderisa 3 drejtorët e caktuar nga LDK-ja filluan t’i ushtrojnë përgjegjësitë e veta nga data 18 mars, posti i nënkryetarit ende mbahet nga Nisma, përkatësisht nënkryetari Rexhep Mazrreku. LDK për këtë post e kishte caktuar Fetah Rudin, pas një votimi që kishin patur në degë ku Rudi i kishte fituar votat për të marrë këtë post.

Marrëveshja kishte qenë që LDK ta marrë postin e nënkryetarit sapo t’i sigurohet një vend pune nënkryetarit aktual Rexhep Mazrreku. Por kanë kaluar 4 muajë dhe as nuk është siguruar vend tjetër pune për Mazrrekun, as nuk po e ushtron funksionin Fetah Rudi. Portali “Online” ka biseduar me akterët e përfshirë dhe ka mësuar se arsyeja e mosushtrimit të funksionit nga Rudi nuk është pamundësia e gjetjes së një vendi pune Mazrrekut por fakti se ai është përdorues i karrocës së invalidit.

Rudi është plagosur në dhjetor të vitit 2000 në një atentat që pretendohet se ka qenë politik dhe që nga atëherë ka mbetur në karrocë invalidi, por pa e ndalë aktivitetin politik që nga këndellja e parë pas atentatit. Por kryetari aktual i Malishevës mendon se ai nuk mund ta kryejë punën si duhet në këtë gjendje.

“Për shkak të problemeve shëndetësore Fetahu nuk mund ta ushtroj funksionin e nënkryetarit”, ka thënë Kryetari i Malisheves, Ragip Begaj.

“LDK-ja e ka shkelur marrëveshjen që kishim për koalicion, marrëveshja ka qenë që Fetah Rudi të sistemohet diku tjetër, ndërkaq për nënkryetar të propozophet dikush tjetër i LDK-së dhe ata na e sollën Fetahun si propozim”, ka theksuar Begaj.

Kryetari i komunës ka thënë se do të kërkoj ndihmën e liderëve qendror të Nismës dhe LDK-së për gjetjen e një zgjidhjeje në këtë aspekt. Por qka nëse lidershipi qendror vendos që Fetah Rudi duhet ta ushtrojë funksionin?.

“Unë nuk kam asgjë kundër Fetahut në asnjë aspekt por prap mendoj se ai për shkaqe shëndetësore nuk mundet me e krye punën e nënkryetarit të komunës”, ka qenë këmbëngulës Begaj. Kur i është përkujtuar se ka patur raste në botë që poste të larta politike e instiutcionale kanë mbajtur njerëz më aftësi të kufizuara, madje ministër i Gjermanisë në karrocë invalidi, Begaj ka thënë: “Atje është Gjermani, kushte të tjera janë atje, personat me aftësi të kufizuara i kanë kushtet për çasje në çdo objekt e zyre”.

Kryetari i degës së LDK-së, i zgjedhur tash së voni në këtë post, Sami Kafegjolli, ka thënë për “Online” se edhe atij dhe zyrtarëve të tjerë të LDK-së kryetari Begaj u ka thënë se “Fetahu nuk mund ta ushtrojë atë funksion dhe se LDK e ka shkelur marrëveshjen”.

“Për neve Fetah Rudi është nënkryetar komune, ai i ka fituar votat”, ka thënë Kafegjolli.

Por Kafegjolli duke parë kundërshtimin e kryetarit të Malishevës ka kërkuar një zgjidhje.

“Për neve Fetah Rudi është nënkryetar komune por pasi kryetari Begaj po kundërshton, ne kërkojmë një zgjidhje në këtë drejtim, kërkojmë ndihmën e kryetarit dhe kryesisë qendrore të LDK-së që të zgjidhet ky problem dhe LDK ta marr postin që i takon”, është shprehur ai. Januz Kastrati, ish kryetar i degës së LDK-së në kohën e arritjes së koalicionit Nisma-LDK, ka thënë se asnjë shkelje të marrveshjes nga ana e LDK-së nuk ka patur. “Marrëveshja bazë është arritur në Prishtinë mes dy liderëve partiak dhe në praninë e neve të tjerëve, aty janë caktuar postet që i jepen LDK-së si hise e koalicionit qeverisës dhe nuk është përmendur asnjë emër se kush do ta marrë këtë apo atë funksion, kështu që nuk ka asnjë shkelje”, ka thënë Kastrati. “Ne edhe pasi i kemi përzgjdhur bartësit e funksioneve, unë dhe kolegët Sami Kafegjolli e Rrahim Morina ia kemi prezentuar kryetarit Begaj emrat në mesin e të cilëve edhe Fetah Rudin dhe nuk ka pas asnjë kundërshtim, nuk e di qka ka ndodhë tash”, është shprehur ai. “Tek e fundit partneri i koalicionit nuk është ai që i cakton emrat e partisë sonë për funksione”, ka spikatur Kastrati duke bërë me dije se ka qenë nënshkrues i marrëveshjes për koalicion.

Vet Fetah Rudi, i kontaktuar nga “Online” ka deklaruar se nuk ka patur asnjë shkelje të marrëveshjes nga ana e LDK-së. “Nuk ka pas marrëveshje të veqantë për mua”, ka theksuar ai. Rudi ka deklaruar se nuk ka pengesa që mund ta ndalojnë atë të ushtrojë funksionin e nënkryetarit. “Pse jam në karrocë, të gjitha punët mundem me i krye dhe nuk më pengon kjo, unë jam që 15 vjetë në karrocë”, ka theksuar Rudi. “Unë po e pres vetëm realizimin e marrëveshjes, ky është vendim i kryesis së LDK dhe duhet të zbatohet”, është shprehur Rudi.

Edhe në marrëveshjen e shkruar të Marrëveshjes politike për bashkqeverisje ndërmjet Nismës dhe LDK-së, të nënshkruar nga Ragip Begaj dhe Januz Kastrati nuk përmendet asnjë emër i përvetshëm për bartës të funksioneve.

Letra marreveshje

Rastet e politikanëve në botë që kanë ushtruar funksione nga karroca e invalidit

Wolfgang Schauble, ministër i financave në Gjermani, më heret ministër i punëve të brendshme. Ka qenë edhe kryetar i CDU-së. Është përdorues karroce të invalidit që nga viti 1990 pas një atentati. Nga viti 1984 deri më 1991 ai ishte anëtar i kabinetit të Helmut Kohl. Së pari ishte ministër federal i çështjeve të veqanta dhe shef i zyrës, pastaj ministër federal i brendshhëm. Mes viteve 1991 dhe 2000 ai ishte kryetar i CDU-së, partisë më të fuqishme gjermane. Ai ka shërbyer përsëri si ministër federal i brendshëm në kabinetin e parë të kancelares Merkel nga 2005 deri më 2009. Sërish më 2009 Merkel ia ka besuar postin e ministrit, tani atë të financave. Atëherë 67 vjeqar ai ishte ministri më i moshuar dhe me shërbimin më të gjatë në parlament në historinë e Republikës Federale Gjermane. Ai ishte gjithashtu njëri nga 7 ministrat e Kabinetit paraprak të Merkelit që kishin mbetur në fuqi. Më 2014 “Wall Street Journal” e ka quajtur Schaublen “personin e dytë më të fuqishëm në Gjermani, pas Angela Merkelit”.

Por ka edhe plotë raste të tjera të politikanëve në botë që kanë ushtruar funksione të rëndësishme duke qenë përdorues të karrocës së invalidit.

Në Australi Graham Edwards, ka qenë deputet i parlamentit ndonëse i kishte humbur të dy këmbët në luftën e Vietnamit. Iliesa Delana, nga Fiji ka qenë deputet dhe asistent i Ministrit për Rini dhe Sport që nga viti 2014, i ka të amputuara të dy këmbët qysh si fëmijë. Karpal Singh, deputet i Parlamentit të Malajzisë, përdorues karroce pas një aksidenti, me probleme neurologjike edhe në krahun e tij të djathtë. Në Norvegji ka qenë ministër i Mjedisit Guro Fjellanger, përdorues i karrocës së invalidit. Edhe deputeti nga ky shtet Tove Linnea Brandvik, ka qenë përdorues karroce për shkak të një sëmundje neuromuskulare. Në Ishujt Solomon ka qenë Martin Magga i cili kishte mbetur në karrocë invalidi pas një sëmundjeje të rëndë më 2009 derisa shërbente si ministër i Shëndetësisë. Ai ka dhënë dorëheqje nga Kabineti, por e ka ruajtur vendin e tij në parlament në zgjedhjet e përgjithshme 2010. Shërbeu si deputet, në karrocë invalidi deri në vdekjen e tij më 2014. Në Sri Lanka Senarath Attanayake, ka qenë përfaqësuesi i parë i zgjedhur me aftësi të kufizuara në këtë shtet. Ai ka qenë ministër i Bujqësisë. Ishte edhe personi i parë me aftësi të kufizuara që u bë avokat në Sri Lankë. Ai ishte në varësi të plotë nga karroca e invalidit për shkak të një infektimi që në moshën 2 vjeqare. Në Britani, Anne Begg, ka qenë deputete nga viti 1997-2015, ndonëse ishte përdoruese e karrocës. Edhe në SHBA janë disa raste të tilla. Tammy Duckworth, kongresiste nga Illinois, i ka humbi të dy këmbët e saj dhe ka dëmtuara krahun e saj për shkak të një sulmi me raketë në luftën e Irakut. Max Cleland, ish senatori amerikan nga Gjeorgjia, ka qenë invalidë i shumfisht, i ka patur të paralizuara të dyja këmbët dhe një krah, për shkak të një shpërthimi në Luftën e Vietnamit. John Seainson, ish-Guvernatori i Miçiganit, poashtu i kishte humbur të dy këmbët për shkak të një minë tokësore në Luftën e Dytë Botërore por kjo nuk e ka penguar që ai të jetë guvernator. Në botë ka edhe plotë raste të politikanëve që me aftësi të tjera të kufizuara kanë ushtruar funksione të larta shtetërore të nivelit qendror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat