Al-Kasabi, komiku saudit që po vë në lojë ISIS-in

Lajme

Al-Kasabi, komiku saudit që po vë në lojë ISIS-in

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 09:17

Nasser al-Kasabi mund të krahasohet në Perëndim me komikë të shquar, pavarësisht se në këto anë atë s’e njeh njeri.

I respektuar, i famshëm dhe me fytyrë të lindur prej aktori komik, ai është shumë i adhuruar në vendin e tij. E të jesh i tillë në një vend si Arabia Saudite me këtë profesion, nuk është diçka e vetëkuptueshme, pasi puna që ai bën kërkon shumë guxim.

Al-Kasabi emigron çdo javë nga një skenë në tjetrën në kërkim të një humori të hollë apo ndonjë batute, duke iu futur shumë telasheve që lidhen jo thjesht me ndjenjat religjioze të pushtetarëve të vendit të tij.

Siç ndodh me komedianët e mirë, 53-vjeçari i ka bërë shumë nga kritikët e tij, tashmë armiq.

Armiqtë e Al-Kasabit janë të tillë të llojeve si: islamikë striktë, humori i të cilëve është shumë i kufizuar.

Ata gjenden me shumicë në Mbretërinë Saudite: imamët vehabistë, princër me huqe e policë të rreptë fetarë.

Pasi siç thoshte dikur edhe lideri i Revolucionit Islamik iranian, Ajatollah Khomeini: “Allahu nuk i ka krijuar njerëzit që ata të bëjnë shaka. Nuk ka shaka në Islam. Nuk ka humor në Islam. Nuk ka shaka e nuk mund të ketë gallatë me një gjë kaq serioze”.

Por Al-Kasabi ka bërë ndërkaq edhe armiq për vdekje. Për shembull, milicia e terrorit të Shtetit Islamik (IS), të cilin komiku arab e parapëlqen sidomos ta bëjë objekt të humorit të tij. Sikurse të gjithë demagogët fanatikë, edhe hierarkët e IS-it nuk tolerojnë asnjë lloj humori.

Ata e kanë kërcënuar ndërkaq humoristin saudit se do t’ia presin dhe kokën: “Luftëtarët e xhihadit nuk do të zmbrapsen derisa të të heqin kokën, e dashtë Allahu brenda pak ditëve”, shkruanin në Twitter xhihadistët për Al-Kasabin.

“Ejani, – iu përgjigj humoristi në dukje i pandikuar nga kërcënimet e tyre, – qetësohuni paksa, festoni dhe ju një muaj të paqtë si Ramazani. Shfaqja ime sapo ka nisur”.

Por çfarë i ka bërë të irritohen kaq shumë fanatikët e IS-it?

Seriali televiziv i Al-Kasabit “Selfie”, është show panarab që transmetohet nga kanali saudit MBC me seli në Dubai.

Aktori komik e cilëson serialin e tij një “komedi sociale me mesazhe të forta”. Një episod luhet në një treg të improvizuar e fiktiv skllevërish në një kafene, në të cilin luftëtarët e IS-it ndër shumë vajza të lidhura kërkojnë konkubinat e tyre.

Al-Kasabi luan në film një baba që kërkon të birin në Siri. Djaloshi, i është bashkangjitur IS-it. E kësisoj edhe babai kthehet në një luftëtar të IS-it dhe përjeton gjërat më absurde në jetë. Gjithnjë me shumë humor e skena groteske, në absurditetin e tij, ai është edhe tronditës, pasi realiteti gjendet jo shumë larg lojës së Al-Kasabit.

“Kjo në Islam sigurisht se është e ndaluar, ata janë ende fëmijë”, guxon ai të thotë kur u hedh sytë vajzave në kafene, ndërsa korr përgjigjen e liderit të vet: “Allahu të fal!”

Një luftëtar zgjedh “gruan” e tij, por sheh se e përzgjedhura e tij mban një mjekër dhe se në të vërtetë është një djalë i ri, që është fshehur për një kohë të gjatë nën një mantel të zi dhe perçe. I shtyrë nga një shok lufte drejt këtij gabimi të vogël, luftëtari përgjigjet: “S’ka problem. Nëse ai është një i pafe, e ka merituar që ta marr me vete”. Kjo ishte shumë për sektorin e mediave të IS-it. E kështu që erdhën kërcënimet për vrasje ndaj komedianit.

“Allahu na mbroftë”, shkruan Al-Kasabi në faqen e MBC-së. “Është puna e artistit të thotë të vërtetën, edhe kur kjo i sjell atij telashe. Ky është çmimi që ne paguajmë për punën tonë”, Dhe për televizionin Al-Arabija ai thotë se: “Xhihadi i vërtetë është t’i paralajmërojmë njerëzit për IS-in, që ne e luftojmë me art e jo me luftë”.

Arti i tij nuk njeh tabu: shumë syresh, policë religjiozë, imamë fanatikë vehabinj, kufizimet e mëdha ndaj grave. Humori i tij është tejshpues, depërtues.

Një skenë tjetër e luajtur nga komediani, bëri që disa imamë fanatikë të reagonin fort kundër tij: e në këtë rast, satiristi kishte një përgjigje për ta, duke luajtur rolin e një imami tejet të zellshëm, që dikur kish qenë muzikant, por rrugës në dëshirën e pasionin e tij ekstrem religjioz, e mohon rolin e saj.

“Heretizëm!”, thirri pas kësaj imami i vërtetë Said al-Farwa dhe kërkoi ndëshkimin e Al-Kasabit, në këtë rast me vdekje.

Një gjë e tillë ishte madje e tepruar edhe për Ministrinë saudite të Çështjeve Islame.

I akuzuari që ka qëlluar të jetë edhe përzgjedhës në spektaklin “Arabs Got Talent”, u bë objekt edhe i një hetimi nga ku doli se imami që e akuzonte bëri një autogol. Ky i fundit u detyrua të tërhiqte deklaratat publike kundër aktorit, dhe iu lut komedianit ta falte – me anë të Twitter-it.

Al-Kasabi për shumëkënd në botën arabe është një hero. Guximi i tij, humori thumbues e cinizmi i tij, flet shumë për shpirtin e intelektualëve arabë dhe dëshirat për reforma. Ndër ata që e mbështesin, është edhe gazetari saudit Khaled al-Maina, njëri ndër zërat më të fortë pro tij.

Ai tha dikur: “Ne kemi heshtur për një kohë të gjatë. Kemi lejuar që këta imamë të përhapin urrejtje dhe të pështyjnë gënjeshtra”.

Dhe këngëtarja saudite “Shams” (në shqip: Dielli) shkruan për rreth 500.000 adhuruesit e saj në Twitter: “Qysh prej shumë viteve, transmetuesit TV Al-Jazeera dhe Al-Arabija, kanë përcjellë këtë pisllëk të IS-it, dhe askush nuk ka bërë diçka kundër kësaj situate.

Por ‘Selfie’ ka bërë që kombit arab t’i dërgohet një thirrje për t’u zgjuar nga letargjia, vetëm për 20 minuta”. /gazetashqip/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat