Mitingje dhe kundërmitingje në Greqi, Tsipras: Të qëndrojmë në BE, duke jetuar me dinjitet si europianë

Lajme

Mitingje dhe kundërmitingje në Greqi, Tsipras: Të qëndrojmë në BE, duke jetuar me dinjitet si europianë

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 00:57

Mitingje nga të dyja kampet, të mbështetësve të masave shtrënguese në Greqi dhe të kundërshtarëve të tyre e njëkohësisht mbështetës të radikalëve të majtë të udhëhequr nga Alexis Tsipras, kanë shënuar orët e fundit të fushatës njëjavore përpara referendumit të së dielës.

Raportimet e fundit nga Athina flasin për ndërhyrjen e policisë greke në kampin e protestuesve mbështetës të ‘Jo’-së, të mbledhur në sheshin qendror të Athinës “Syntagma”, këtë të premte. Policia duket se ka hedhur bomba tymuese dhe është përleshur me rreth një dyzinë protestuesish, shumica e të cilëve të veshur me të zeza dhe me mburoja në kokë, por kjo ngjarje ka qenë momentale dhe gjërat duken se janë qetësuar.

Tsipras, i veshur me një këmishë të bardhë, doli nga zyra e tij e Kryeministrisë pak pas orës 20 të mbrëmjes së të premtes, për t’iu bashkuar mitingut të mbështetësve të tij dhe të alternativës ‘Jo’ në referendumin e së dielës. Me t’u ngjitur në skenën e improvizuar para sheshit “Syntagma”, para Parlamentit të Greqisë, kryeministri grek ngriti peshë turmën, të cilën e përshëndeti krahë hapur.

Kreu i radikalëve të majtë u përsëriti sërish mbështetësve të përkrahin me krenari alternativën ‘Jo’, pasi kështu grekët do të tregojnë me vendosmëri se çështjet më të rëndësishme nuk i lënë të gjejnë zgjidhje në duart e të tjerëve, por vetëvendosin ata.

“Çfarëdo që të ndodhë në fundjavë, ky është një manifestim i demokracisë. Referendumi i së dielës do të përcaktojë fatin e të qëndruarit në Europë, por duke vendosur të jetojmë me dinjitet në mes të Europës”, është shprehur ai. “Ndaj, thuajini me krenari Jo ultimatumeve dhe atyre që iu terrorizojnë”.

Thirrjet e mbështetësve të kryeministrit me shprehjet “Oxi” (Jo) janë dëgjuar deri në qytetin e vjetër të Athinës, Plaka. Shumica prej tyre mbajnë pankarta në duar që denoncojnë “masat barbare” të vendosura ndaj Greqisë në emër të huadhënësve ndërkombëtarë (BE, BQE dhe FMN) për 5 vitet e ardhshme. Aty marrin pjesë disa prej këngëtarëve më të njohur në vend, muzikantë, kompozitorë dhe aktorë, të cilët do të mbajnë edhe një koncert pas mitingut, në atë që qeveria e radikalëve të majtë quajnë si “festivali i popullit”.

* Ndërsa një panoramë krejt tjetër jepet nga zona përreth stadiumit të mermertë “Kalimarmaro” të Athinës, ku janë mbledhur mbështetësit e masave shtrënguese, apo të alternativës ‘Po’ në referendumin e së dielës.

Shumica e të pranishmëve mbajnë pankarta që thonë “Po për Greqinë, po për Euron”, ndërsa disa të tjera bëjnë thirrje “Dorëhiquni”, referuar qeveritarëve aktualë të ekstremit të majtë.

Fushata pro masave shtrënguese, që ka fituar mbështetjen e gjerë të politikanëve më të lartë të vendit gjatë ditëve të fundit, e që mbështetet thuajse nga të gjitha kanalet mediatike të biznesmenëve të mëdhenj në Greqi, kërkojnë që vendi të mbetet në Eurozonë me çdo kosto.

Ironike është edhe fakti që shumë shtetas grekë, të cilët nuk janë fansa të opozitës, që mbështesin alternativën ‘Po’, por që votuan në favor të kryeministrit Alexis Tsipras në zgjedhjet e janarit, tashmë mbështesin fushatën ‘Po’, sepse kanë frikë se marrëdhëniet e Athinës me Europën do të përkeqësohen në atë gjendje, saqë do të jetë e parikuperueshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat