A është Ballkani fuçi baruti? Qëllimet e vizitës së Merkel

Lajme

A është Ballkani fuçi baruti? Qëllimet e vizitës së Merkel

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 20:50

“Kancelarja gjermane Angela Merkel do e nisë vizitën e saj nga Tirana, pasi e ka piketuar Edi Ramën si lider të rajonit”.

Kështu shkruante me pasion një e përditshme pranë qeverisë, referuar vizitës së pritshme të kancelares Merkel.

Por a do vijë Merkel në rajon për të bërë piketime se kush është lider i rajonit, në një gadishull që ka vuajtur kaq shumë luftëra dhe probleme vetëm pse disa duan të jenë liderët e rajonit?

Zëdhënësi i qeverisë gjermane doli në një konferencë për shtyp për të shpjeguar axhendën e Merkel gjatë vizitës dyditore në Ballkan.

Vizita do të nisë nga Tirana, ku Merkel do qëndrojë për katër orë.

Fillimisht në orën 14:15 ajo do të pritet me nderime ushtarake nga kryeministri Edi Rama. Më pas do ketë një bisedë me Ramën dhe një konferencë për shtyp rreth orës 15:40 minuta, transmeton Mapo.

Rreth orës 16:15 minuta do pasojë një takim me presidentin Bujar Nishani.

Në fund, Merkel do të shkojë në Tirana Business Park për një konferencë ekonomike. Ajo do mbajë një fjalim atje.

Në darkë ajo do të udhëtojë drejt Beogradit, ku do pritet sërish me nderime ushtarake.

Së bashku me kryeministrin Aleksandër Vuçiç ajo do darkojë në Vila Bokeljka.

Të nesërmen vizita do vazhdojë në Bosnje.

Pasdite Merkel do largohet, duke fjetur vetëm një natë në rajon.

Menjëherë pasi shpalosi axhendën, zëdhënësi i Merkel u pyet me insistim nga gazetarët për të shpjeguar se ku janë vendet e rajonit në rrugën e integrimit, por mbi të gjitha u pyet me ngulm për të shpjeguar nëse është dakord me deklaratën e kryeministrit italian në Berlin se Ballkani është një fuçi baruti.

“Ballkani Perëndimor akoma ruan kujtimet e luftërave të ish-Jugosllavisë në vitet ’90. 20-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, që është në pak ditë, do e kujtojmë gjatë këtij udhëtimi. Që rajoni të zhvillohet ekonomikisht dhe politikisht, duhet të ketë një bashkëpunim me intensiv mes vendeve, për të zhdukur tensionet. Kjo gjë kërkon Europën dhe Europa duhet të kontribuojë. Për këtë qëllim edhe kancelarja do luajë rolin e saj,” tha ai.

Insistimit të vazhdueshëm të gazetarit për të mësur nëse është dakord me deklaratën e Mateo Renzit se Ballkani është fuçi baruti, zëdhënësi iu përgjigj: “Unë mendoj se nuk është në dorën tonë që të bëjmë cilësime mbi deklaratat e zotit Renzi. Unë besoj se do zgjedhim një gjuhë tjetër”.

Ndërkohë në forumet dhe portalet shqiptare ka spekulime se përse Merkel nuk do mbajë një fjalim në parlament apo pse nuk do takohet me kreun e Kuvendit, Ilir Meta.

Ajo nuk do takohet as me kreun e PD, Lulzim Basha.

Për shkak të axhendës së ngjeshur, Merkel do takohet edhe në Serbi vetëm me kryeministrin dhe presidentin.

Në ndryshim, atje do takojë edhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat