Gjykata e Apelit ia ul dënimin Fitim Lladrovcit, i akuzuar për terrorizëm

Lajme

Gjykata e Apelit ia ul dënimin Fitim Lladrovcit, i akuzuar për terrorizëm

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 10:08

Gjykata e Apelit në Prishtinë ia ka ulur dënimin nga pesë në 3 vjet e gjysmë të akuzuarit për terrorizëm Fitim Lladrovci.
Lajmin për KALLXO.com e bëri të ditur avokati i LLadrovcit, Nuhi Paçarizi.

“Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka ulur dënimin dhe nga dënimi prej 5 vjetëve qe ia ka shqiptuar shkalla e parë, Apeli ia ka zbritur në 3 vjet e 6 muaj,” tha Paçarizi, duke treguar se ishte ankuar në Apel ndaj vendimit të shkallës së parë.

Lladrovci më 23 janar të këtij viti u dënua me 5 vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi akuzohej për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Ai qe arrestuar më 26 dhjetor 2014, ndërsa një ditë më pas i i shte caktuar masa e paraburgimit.

Fitim Lladrovci akuzohej nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se disa herë udhëtoi drejt Sirisë gjatë viteve 2013-2024 për t’iu bashkuar organizatave terroriste “ISIS” dhe “Al-Nusra”.

“I pandehuri Fitim Lladrovci me pseudonimin “Fita”, më datën 8 dhjetor 2013 ka udhëtuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” për në Stamboll, prej nga me automjete të ndryshme ka shkuar në një qytet afër Aleppos, në Republikën Arabe të Sirisë, ku më dashje iu është bashkuar organizatave terroriste ‘ISIS’ dhe ‘Al – Nusra’”, thuhej në aktakuzën.

Sipas prokurorisë herën e parë Lladrovci në shtetin e përfshirë nga lufta civile qëndroi deri më 28 dhjetor 2013, për t’u kthyer përsëri me aeroplan në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari’ në Sllatinë.

Prokuroria përshkroi edhe kohën kur pretendonte se Lladrovci udhëtoi përsëri drejt Sirisë.

“Më 15 maj 2014, me aeroplan përmes Podgoricës ka udhëtuar për në Stamboll, ku pas tre ditësh ka arritur që të shkojë në qytetin Stereshin të Republikës Arabe të Sirisë, ku me dashje i është bashkëngjitur organizatës terroriste “ISIS”, ku ka qëndruar deri më 9 tetor 2014,” precizonte aktakuza.

Aktakuza tregonte se më 15 tetor 2014 sërish përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Sllatinë, Lladrovci ishte kthyer në Republikën e Kosovës.

Në Kosovë aktualisht janë duke u zhvilluar edhe disa gjykime tjera të personave të akuzuar për organizim ose pjesëmarrje në grupe terroriste./kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat