“Më dridhet trupi, pasi mora pjesë në prerjen e kokave të dy kosovarëve”

Lajme

“Më dridhet trupi, pasi mora pjesë në prerjen e kokave të dy kosovarëve”

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 08:27

Fakte tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me grupin terrorist, të arrestuar në Itali e Shqipëri dy ditë më parë, në operacionin e quajtur “Martesa”, ku në pranga ranë dy familje, njëra shqiptare dhe tjetra italiane, të cilat kishin lidhur krushqi mes tyre. Mediet italiane kanë zbardhur disa biseda të bërë në “Skype”, të përgjuara nga shërbimet sekrete, falë të cilave është zbuluar aktiviteti i celulës terroriste italo-shqiptare. Të gjitha këto përgjime, së bashku me aktivitetin e çdonjërit prej anëtarëve të celulës, janë pjesë e dosjes prej 42 faqe, përgatitur nga hetuesi i prokurorisë së Milanos, Ambroxhio Moçia. Në dosje shkruhet se shqiptari Aldo Kobuzi, i vetëquajtur Said, është përgatitur si luftëtar i Shtetit Islamik në një kamp ushtarak në Irak, më pas është transferuar në Siri, ku ka marrë pjesë në disa aksione të dhunshme me rolin e një muxhahedini. Sipas medieve italiane, arsyeja e martesës mes Aldo Kobuzit e Maria Giulia Sergio ka qenë pikërisht mundësia për të lejuar italianen e konvertuar në islam, për të hyrë në territorin e Shtetit Islamik.

Përgjimet telefonike nisin qysh në tetorin e 2014-s e marrin fund më 8 qershor 2015. Mes tyre janë dhe bisedat e Donika Çokut, nënës së Aldo Kobuzit, me familjarët e saj në Shqipëri. Më 10 shkurt 2015, Donika Çoku shprehet: “Më dridhet trupi, pasi mora pjesë në prerjen e kokave të dy kosovarëve… ia prenë vërtetë”. Biseda të ngjashme zhvillohen dhe mes Aldo Kobuzit, i cili ndodhet në Siri dhe të afërmve të tij në Shqipëri. Ai shprehet krenar për aktet e dhunshme të kryera në emër të Allahut. Më 8 prill 2015, Maria Giulia Sergio apo ndryshe Fatima az Zahra, e shoqja e Aldo Kobuzit, ndërsa flet me të motrën, Marianën, tregon se si bashkëshorti i saj, Aldo, ka marrë pjesë në groposjen e gjallë të një personi të akuzuar për tradhti bashkëshortore. “Ne këtu në Siri po vrasim të pafetë për të zgjeruar territorin e Shtetit Islamik. Iku koha e myslimanit që jeton në tokën e të pafeve. Luftëtarët e Allahut janë të fortë, inteligjentë, të mrekullueshëm, braktisin fëmijët, gratë, shtëpitë e paratë e vijnë në Siri për të luftuar”, thotë Maria Giulia Sergio.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat