Plagoset Rakiqeviq i kërkuar nga EULEX-i, policët e Kosovës e nxjerrin ilegalisht në Serbi për sherim

Lajme

Plagoset Rakiqeviq i kërkuar nga EULEX-i, policët e Kosovës e nxjerrin ilegalisht në Serbi për sherim

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 19:45

Serbi Aleksandar Aca Rakiqeviq, një emër me nam jo të vogël nga radhët e serbëve të veriut të Mitrovicës, ka mbetur i plagosur nga armët e zjarrit në të dy këmbët më 23qershor 2015, pas qërimit të hesapeve në mes bandave serbe të kontrabandës me derivate të naftës në veri të Mitrovicës.
Lajmi është bërë i ditur për portalin ‘tesheshi”, nga Stacioni i Policisë së Kosovës në Leposaviq, me kusht të anonimitetit.

Sipas burimit, rasti i plagosjes së Rakiqeviqit është fshehur nga Policia e Kosovës, ndërkohë që këta të fundit e kanë transportuar të plagosurin nga Mitrovica në Serbi, nëpërmes rrugëve ilegale.

Aca Rakiqeviq, pronar i një pike ilegale të karburanteve në lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës, njihet nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i si njëri me precedent penal, që për pasojë ka dhe një fletëarrest të lëshuar nga EULEX-i.

Zyrtarë të Drejtorisë së Policisë të Kosovës të rajonit Veri, të kontaktuar nga portali ‘tesheshi’, në fillim kanë mohuar të ketë ndodhur incidenti, duke thënë se “kjo që pyesni ju është qesharake”.

Por, pas tre ditëve, po këta zyrtarë, me kusht të anonimitetit, kanë thënë se “incidenti ka ndodhur: Rakiqeviq është plagosur nga dy persona të tjerë, pasi është kapur nga ata, mirëpo policët e Veriut nuk e kanë raportuar rastin fare.

Policia në veri të Mitrovicës, sipas burimit, për këtë skandal të policëve të Kosovës të stacionit të veriut, ka njoftuar zyrtarisht Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë, e cila ka iniciuar një hetim ndaj atyre që dyshohen se kanë transportuar viktimën në Serbi përmes rrugëve ilegale, për më tepër duke e ditur se për të plagosurin ka fletarrest nga policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it.

Në anën tjetër, burimi i portalit ‘tesheshi’, nga Policia e Kosovës në Leposaviq, ka theksuar se “Aleksandar Aca Rakiqeviq dyshohet se është plagosur nga dy bosët e tjerë të kontrabandimit të naftës në veri të Kosovës, M. Radonjqiq dhe G. Vulloviq”.

Burimi sqaron se incidenti ka ndodhur më 23 qershor rreth orës 20:00 në pikën e karburanteve të Rakiqeviqit në lagjen e boshnjakëve, kur Radonjqiq dhe Vulloviq kanë ardhur aty, e kanë zënë Acën dhe me revole e me gjakftohtësi e kanë qëlluar në të dyja këmbët.

Sipas burimit, plagosja e Rakiqeviqit është një lloj mase paralajmëruese që të mos ndërtojë një pikë të re të karburanteve në afërsi të Leshakut i cili gjendet farë afër pikëkalimit kufitar G1 në Jarinjë të Leposaviqit, e që do t`i dëmtonte biznesin e Vulloviqit.

Burimi më tej ka shtuar se tre policë serb të Kosovës, R.K, M.R dhe M.M, dyshohen se kanë marrë të plagosurin Aleksandar Aca Rakiqeviq, të cilin me makinën e tyre zyrtare e kanë transportuar përmes rrugës ilegale në Serbi. Këtë e kanë bërë duke e ditur mjaft mirë që për Rakiqeviqin kishte një fletarrest për një sërë veprash penale. Burimi sqaron se ky shërbim ndaj të plagosurit serb është bërë në këmbim të një shumë të majme parash.

Ky akt, thotë burimi, flet për lidhjen direkte të një pjese të Policisë së Kosovës në veri me krimin e organizuar të zonës, të udhëhequr prej individëve serbë.

Burimi ka shtuar se “Aleksandar Aca Rakiqeviq, gjendet në Spitalin e Beogradit, gjendja e të cilit pas trajtimit kirurgjik është jashtë rreziku për jetë, ndërsa Policia serbe ka arrestuar shoferin e Rakiqeviqit”.

Nuk dihet nëse EULEX-i do të kërkojë arrestimin e Aca Rakiqeviqit dhe dorëzimin e tij nga ana e policisë së Serbisë.

Në anën tjetër, zyrtarë të EULEX-in në bazën e tyre në Mitrovicë nuk kanë dashur që të flasin për këtë rast. /tesheshi/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat