Dy familje në asistencë sociale së shpejti bëhen me shtëpi të reja

Lajme

Dy familje në asistencë sociale së shpejti bëhen me shtëpi të reja

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 19:30

Dy familje që janë raste sociale, të cilat jetojnë në kushte shumë të vështira të banimit, njëra në qendrën kolektive në Trepçë, ndërkaq tjetra në fshatin Gushavc, së shpejti do të bëhen me shtëpi të reja.
Angazhimi i madh i Drejtorisë për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, për të gjet donatorë, në mënyrë që t’u bëhet një zgjidhje këtyre rasteve, ka sjell rezultate. Drejtori i kësaj drejtorie, Mensur Beqiri, tregon se është gjet një donatorë, i cili dëshiron të mbetet anonim për kontributin tij në këtë drejtim.
“Një qytetar që dëshiron të mbetet anonim, ka shpreh vullnetin që t’i ndërtoj dy shtëpi për raste më të rënda sociale, ndërkaq ne si drejtori e kemi mbështet me nga 2.000 euro për shtëpi”, tha Beqiri.
Sipas tij, familja që ka jetuar në qendrën kolektive në Trepçë, ka pas truallin në lagjen Ilirida dhe aty tani po i ndërtohet shtëpia e re. Ndërkaq, familja tjetër e cila po ashtu posedon parcelën, ku po i ndërtohet shtëpia, ndodhet në fshatin Gushavc. Kjo familje përveçse është në gjendje të vështirë ekonomiko-sociale, fatkeqësisht anëtarët e saj kanë edhe probleme mentale.
Angazhimet e drejtorisë në fjalë, për t’u dal në ndihmë të pastrehëve, kanë vazhduar edhe tutje. Ata janë interesuar për gjetjen edhe të donacioneve të tjera. Gëzim Konjusha, është qytetari tjetër që ka shpreh vullnetin që në bashkëfinancim me Komunën, të rindërtoj shtëpinë e një familje nëntë anëtarësh në fshatin Kçiq. Fatkeqësisht edhe kjo familje përveçse ka një gjendje të rëndë sociale, nëna dhe tre fëmijët janë të sëmurë nga epilepsia.
“Përpos ndihmës që ka dhënë në financimin e rindërtimit të shtëpisë, Konjufsha ka zhvilluar edhe aktivitete tjera bamirëse. Ai ka siguruar mjetet për blerjen e tre krerëve lopë, të cilat do t’u jepen familjeve që janë të varfra, që jetojnë në viset rurale, për çka ne i jemi mirënjohës”, tha drejtori Beqiri.
Punët në ndërtimin e dy shtëpive të reja dhe rindërtimit të një shtëpie janë duke vazhduar. Ndërkohë, drejtori Beqiri njofton për vazhdimin e angazhimeve të drejtorisë të cilën ai e udhëheq, që në bashkëpunim me Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, të bëjë zgjidhje të banimit edhe për familje të tjera që jetojnë në kushte të vështira, por që posedojnë parcelat e tyre ku mund t’u ndërtohen shtëpitë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat