​Kosova po bëhet me himn të dytë, këtë do t’ia dhurojë botës

Lajme

​Kosova po bëhet me himn të dytë, këtë do t’ia dhurojë botës

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 14:55

Shenjtërimin e Nënës Terezë nga ana e Selisë së Shenjtë e pret e tërë bota, dhe jo vetëm ajo e krishterë, por të gjithë njerëzit humanë, të gjithë ata që kanë virtytet njerëzore dhe që kanë mbetur të mahnitur dhe të frymëzuar nga vepra e saj, që shënoi jo vetëm epokën e jetës dhe veprimtarisë së saj por edhe tërë historinë e njerëzimit.

Gjasat janë, sipas paralajmërimeve, që procedurat e Vatikanit të përfundojnë së shpejti dhe ajo edhe formalisht të shpallet Shenjtore më 5 shtator të vitit 2016. Është kjo dita kur mbushen 19 vjet nga vdekja e Nënës Terezë, e që për nder të saj është shpallur nga Kombet e Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë.

Kosova dhe të gjithë shqiptarët, kuptohet, kanë edhe një arsye më tepër të presin këtë ditë me padurim dhe ngazëllim – Nëna e Botës është Gonxhe Bojaxhiu, është bija më e madhe e kombit, namin e të cilit e përhapi në mbarë botën.

Por, një grup patriotësh nga Kosova, nga vendi i origjinës së saj, ka vendosur që të mos rrijë duarkryq në pritje të aktit madhor të shenjtërimit dhe të bëjë diçka për Nënën Terezë, por edhe për Kosovë n, për kombin dhe për botën.

I prirë nga gazetarja dhe publicistja e njohur Diana Toska, ky grup ka ideuar projektin e krijimit të një himni të ri, të dytë, të Kosovës, por himn ky që do të jetë simbol jo vetëm mbarëkombëtar, por edhe një dhuratë për tërë botën, për të gjithë njerëzit që kanë në zemër simbolin e bamirësisë.

Këta ideatorë të projektit kombëtar veçmë kanë nisur dhe kanë kryer një pjesë të madhe të përgatitjeve për realizimin e projektit madhor, një vepër që do të madhërojë ceremoninë e shenjtërimit më 5 shtator 2016 në Vatikan.

Bëhet fjalë për himnin kushtuar Nënë Terezës, i krijuar me vargjet e vetë asaj dhe me muzikë të Lorenc Antonit. Në realizimin e kësaj vepre janë angazhuar edhe shumë artistë të tjerë, ndër të cilët edhe operistja me famë botërore Inva Mula, e cila do të interpretojë himnin. Tashmë është organizuar edhe xhirimi i veprës, që do të realizohet në Tiranë në fund të këtij muaji.

Promovimi zyrtar publik i Himnit për Nënë Terezën është planifikuar që të bëhet në një manifestim shtetëror në Ditën e sivjetme Botërore të Bamirësisë dhe përvjetorin e 18-të të vdekjes së saj, pra më 5 shtator të këtij viti në Prishtinë.

Që të jetë kjo dhuratë e mirëfilltë nga Kosova për njerëzimin, ideatorët morën veprime për të sensibilizuar institucionet e shtetit në përkrahje të projektit. Dhe kjo përkrahje, të paktën ajo morale, deri tani nuk ka munguar nga strukturat më të larta të shtetit – presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe kryeparlamentari Kadri Veseli e kanë mirëpritur dhe përkrahur pa rezervë projektin, si shtetëror dhe mbarëkombëtar.

Madje, Veseli, pas takimit me iniciatorët muajin kaluar, kishte shkruar në facebook:

“Himni i Në nës Terezë do të jetë një simbol që do të përfaqësojë në botë shtetin e Kosovës dhe shpirtin humanist të popullit tonë”.

Këto ditë mësojmë se është nënshkruar edhe një memorandum mirëkuptimi mes Parlamentit dhe bartësve të projektit të himnit. Tani mbetet që të gjithë aktorët relevantë, ata që mund të kontribuojnë për realizimin e projektit, të angazhohen dhe ta ndihmojnë realizimin e tij.

Historia e himnit ndërlidhet me vargjet e Nënë Terezës, që nobelistja i kishte shkruar gjatë rrugës që kishte bërë prej Irlandës në Kalkutë, në vitin 1928, por ato do të ngelnin vetëm në letër, po të mos ishte kjo nismë dhe ide konkrete e ditëve të fundit.

Pikërisht kjo nismë do ta bëjë Gonxhen tonë një lule që do të qëndrojë gjithmonë e freskët në kopshtin e kujtesës sonë kolektive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat