Dëshmitari: Oliveri ka garantuar se askujt nuk do i mungojë fija e flokut nëse del në jug

Lajme

Dëshmitari: Oliveri ka garantuar se askujt nuk do i mungojë fija e flokut nëse del në jug

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 14:11

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti ka vazhduar të enjten gjykimi kundër Oliver Ivanoviq dhe katër të akuzuarve tjerë, të cilët akuzohen për krime ndaj popullatës shqiptare gjatë viteve 1999-2000 në veri të Mitrovicës.

Hysen Rrahmani në cilësinë e dëshmitarit ka thënë se Oliverin e njeh vetëm nga nata kritike e 3 shkurtit të vitit 2000, gjatë sulmeve që kanë ndodhur kundër shqiptarëve të asaj pjese të qytetit.

Ai tha se natën kritike ka qenë bashkë me bashkëshorten dhe tre fëmijët në banesën e tij në veri të Mitrovicës.

Sipas tij, atë natë rreth orës 20:00 300 deri 400 serbë kanë hyrë nëpër ndërtesa të ndryshme ku kanë jetuar shqiptarët me qëllim të dëbimit të tyre.

“Disa prej tyre kanë hyrë edhe në ndërtesën ku kam banuar unë dhe kanë provuar ta thyejnë me shqelma derën e banesës time. Ata kanë shtënë edhe me armë. Dy prej tyre kanë arritur të hynë me forcë në banesë dhe kanë hedhur bombë në korridorin e banesës, por për fat të mirë asnjëri prej anëtarëve të familjes nuk jemi lënduar, sepse kemi qenë nëpër dhoma. Pas hedhjes së kësaj bombe serbë t kanë ikur shkallëve teposhtë ndërsa unë kam zbritur në katin e katërt dhe kam hyrë në banesën e Selime Berishës meqë ishte dera e hapur. Në dhomën e saj e kam parë Selimen e vdekur. Në kraharor kishte plagë të shkaktuar nga thika”, ka thënë mes tjerash Rrahmani.

Ai sqaroi se më pas, bashkë me fqinjin e tij Ahmet Sylejmani, por edhe disa fqinjë tjerë shqiptarë, kanë qëndruar para banesës së tij në katin e pestë për rreth katër orë.

“Pas një kohe të shkurtër, grupet e serbëve kanë hyrë sërish në ndërtesën tonë dhe kemi dëgjuar njërin prej tyre të thotë në gjuhën shqipe ‘Do t’i mbysim të gjithë shqiptarët’. Kur kanë arritur në katin e pestë ku ishim edhe ne, i kemi paralajmëruar se edhe ne jemi të armatosur. Ata nuk na kanë besuar, kështu që unë kam shtënë një plumb në ajër dhe pastaj në dritare të korridorit të ndërtesës, me qëllim që të shpëtojmë dhe ata të zmbrapsen, dhe vetëm pa s kësaj ky grup është tërhequr”, theksoi Rrahmani.

Rreth orës 2:00 të mëngjesit, shtoi ai, kanë ardhur disa ushtarë të KFOR-it francez, ndërsa pas pak minutash ka arritur edhe Oliver Ivanoviq, i cili ka qenë në rroba civile.

Ivanoviq është ndalur për pak çaste në pragun e banesës time, ka vëzhguar situatën dhe është kthyer, ndërsa fqinji im Myhedin Prekazi e ka pyetur “pse na e bëtë këtë”, derisa Ivanoviq i është përgjigjur se ai nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Më kujtohet edhe një gjë shumë mirë të ketë thënë Oliveri. ‘Kush dëshiron të dalë në pjesën jugore të qytetit, unë i garantoj se nuk do t’i mungoj asnjë qime nga floku’”, citon dëshmitari Rrahmani të ketë thënë Ivanoviqi në atë kohë.

Në lidhje me katër të akuzuarit tjerë, Dragolub Delibashiq, Ilija e Nebojsha Vujaçiq, si dhe Aleksandar Llazoviq, dëshmitari tha se nuk e njeh asnjërin prej tyre.

Seancat e r adhës, që do të mbahen më 6,7,8 dhe 9 korrik, do të jenë të mbyllura për publikun, me ç’rast do të dëshmojë dëshmitari i mbrojtur X.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat