Komandantë lufte bën kompromis me krimin serb, ta shpëtojnë lëkurën e tyre!

Lajme

Komandantë lufte bën kompromis me krimin serb, ta shpëtojnë lëkurën e tyre!

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 12:01

Shqiptarët janë vënë në një pozitë nga më të keqen historikisht, që dhashtë Zoti të mos përsëriten situata të këtilla. Të paktën sa të ekzistojnë shtetet tradicionale (nëse nuk ndodh një transformim i shtetit në një të ardhme të afërt), shqiptarët do të mbesin model, se si ata krijuan një gjykatë speciale (nëse ajo krijohet si zotohen liderët e shtetit), për të ndëshkuar vetveten në një luftë, ku viktimat shqiptare ishin pakrahasimisht më të mëdha se ato serbe. Edhe vrasjet dhe ekzekutimet ishin shkatërrimtare për shqiptarët, dhe që në thelb krimet e kryera ndaj shqiptarëve kishin një synim të vetëm, zhdukjen e shqiptarëve. Ndërsa, krimet për të cilat akuzohen shqiptarët janë krime individuale dhe nuk e kishin atë synim dhe assesi nuk kishte as kushte e as mundësi, që të synonte zhdukjen jo se jo të një populli, por as të një komuniteti, që historikisht është vendosur në Kosovë nëpërmjet të forcës, për herë të fundit pas luftërave të Serbisë në Kroaci dhe Bosnje, kur solli mijëra refugjatë serb nga atje.
Pra, shqiptarët po krijojnë një model referencial, me shumë se si nuk duhet ti ndodh shteteve të tjera, krijimin e një gjykate ndërkombëtare për të përndjekur luftëtarët e saj, për shkak të disa krimeve, ku raporti i civilëve të vrarë, është së paku 1 me dhjetë, një serb e dhjetë shqiptarë. Dhe ku shqiptarët sikur të mos ishte ndërhyrja ndërkombëtare do të zhdukeshin përgjithmonë nga Kosova, ndërsa serbët nuk ishin as të cenuar dhe as të rrezikuar në asnjë rrethanë, pasi shqiptarët ishin të pafuqishëm ndaj makinerisë ushtarake serbe dhe forcave të tjera të këtij shteti, si policisë, paramilitarëve dhe grupeve të tjera që kishte krijuar për luftë kundër shqiptarëve dhe luftë frontale eventuale ndaj forcave të NATO-s.
Por, pse nuk u hetuan gjithë ato mijëra krime serbe që nga pas lufta. Kjo kohë ndahet në dy faza, para pavarësisë 1999-2008, dhe pas saj, 2008 e deri më sot. Në fazën e parë, veçmas në vitet e para të pasluftës, drejtësia ishte tamam në pronësi të UNMIK-ut, dhe asgjë nuk mund të bëhej, nga hetues, prokurorë apo gjykatës vendor. Por, megjithatë në pjesën e dytë të atyre viteve të administrimit ndërkombëtar, edhe drejtësia vendore ishte relativisht e konstituuar, por interesimi i qeverisë sonë ishte i vogël fare që të kërkonte apo të ushtronte presion për të hetuar krimet serbe.
Ndërsa, që nga shpallja e pavarësisë më 2008, i tërë pushteti ekzistonte që të hetoheshin krimet serbe, pavarësisht që EULEX-i, si mision i ri, do të merrte kompetencat kryesore në drejtësi dhe polici. Ekzistonte e gjithë infrastruktura e nevojshme që të nisnin hetime serioze për krimet serbe, nga ato masivet-gjenocidi e etnocidi, deri tek ato individuale. Por, për shtatë vjet me radhë, institucionet vendnumëruan. Por, fajtori kryesor me gjasë që nuk ushtroi presion ishte se disa komandantë lufte nuk dëshironin që të nisnin këto hetime, me shpresë se do të mund të shpëtonin vet. Pra, edhe njëherë disa komandantë të luftës, bën kompromis, pazar fatin e shtetit me ardhmërinë e vet!
Dhe sot, ende nuk janë të gatshëm të jenë këmbëngulës për hetimin e krimeve serbe, me shpresë se ende mund ta shpëtojnë lëkurën e tyre! I. M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat