Shteti që mban njerëzit me çanta në krah!

Lajme

Shteti që mban njerëzit me çanta në krah!

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 11:00

Shteti i Kosovës nuk duhet të rrugëtojë gjithmonë pas një sistemi që kurrë si jep pavarësinë, përkundrazi duhet të zgjedhë rrugën e duhur të arritjes së sovranitetit. Dhe për ta bërë këtë mbi të gjitha rezulton në demokraci të jetë ndërtimi i shtetit ligjor. Të gjitha dështimet e deritanishme në Kosovë e kanë vetëm një emërues të përbashkët, dështimin në zbatimin e ligjit, ky në krye të tij është dështimi i sistemit të drejtësisë, hetuesi (polici) –prokurori-gjykata. Kjo treshe që nga fillimi është mbisunduar nga politika, fillimisht nga administrata e UNMIK-ut, pastaj nga UNMIK-u dhe institucionet politike të Kosovës (para së gjithash nga qeveria), nga pavarësia nga institucionet politike të Kosovës dhe nga EULEX-i.
Ky sistem politik e ka mbajtur të ngulfatur drejtësinë, ndërsa dështimi i drejtësisë ka prodhuar pafundësisht probleme, shkallën e lart të korrupsionit, vjedhjeve ashiqare të buxhetit, e deri tek dështimi i arsimit dhe shëndetësisë, për ta mbajtur ekonominë të rrënuar, buzë shkatërrimit të përhershëm shtetin, dhe njerëzit me çanta në krah.
Pra, është koha që ky rend i përmbysur të marrë fund. Të rivendosen vlerat, që drejtësia të funksionojë e pavarur për aq sa mundet edhe në vendet në zhvillim, dhe besa tek shqiptarët ka burra, si ka pasur gjithmonë, që mund të vihen në krye të drejtësisë, për të vënë rendin dhe ligjin. Ka burra që mund të hetojnë, mbledhin prova, ti arrestojnë dhe dënojnë edhe krerët e shtetit. Pa problem mund ti sfidojnë edhe klanet kriminale që janë krijuar nga struktura të krimit dhe që vendi të paqetohet njëherë e mirë.
Ata që vjedhin, plaçkisin dhe marrin haraç nga buxheti i shtetit çdo vit deri në 20 për qind të tij, dhe po aq sa vilet buxhet nga shteti shkon dëm mbi një miliard euro po sërish nga ikja prej tatimit, evazionit fiskal nga firmat e mëdha, që janë në menaxhim të drejtpërdrejt apo të tërthortë nga po këta njerëz vjedhës të parasë publike, tash e sa vite.
Kjo qeveri nuk do të mund të ketë sukses nëse nuk përkushtohet në përmbytjen e sistemit të rrënuar, për ta rilindur atë.
Vendosja e vlerave nuk është e lehtë, por jo e parezalizueshme, së pari duke filluar me vendosjen e njerëzve të duhur në pozita të duhura, dhe jo sipas parimeve të interesit të ngushtë klanor apo mafioz. Kosovës i duhen njerëz në pozita kyçe që janë të gatshëm për projektin në të cilin po hyn Kosova, të shkatërrimit të krimit të organizuar, luftën e vërtetë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në të kundërt beteja për të ndaluar ikjen e njerëzve nga Kosova me çanta në krah është e humbur! I. M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat