Tsipras ripërsërit thirrjen që grekët të votojnë “Jo” në referendum

Lajme

Tsipras ripërsërit thirrjen që grekët të votojnë “Jo” në referendum

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 19:04

Vetëm pak orë para samitit të jashtëzakonshëm të Eurogrupit mbrëmjen e së mërkurës, kryeministri grek Alexis Tsipras gjatë një mesazhi televiziv u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë kundër masave shtrënguese në referendumin e së dielës.

“’Jo’ nënkupton një presion të fuqishëm për një marrëveshje jetike, e cila do japë zgjidhje për borxhin, nuk do ta rrisë atë, nuk do të pengojë vazhdimisht përpjekjen tonë për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe shoqërisë sonë”, tha Tsipras.

Ai ka akuzuar huadhënësit se është faji i tyre që bankat e Greqisë u mbyllën, pasi BQE ndaloi furnizimin me të holla dhe ka premtuar se do të bëjë gjithçka që kjo gjendje të mos vazhdojë gjatë.

“Ne do të zhvillojmë referendum të dielën”, ka thënë Tsipras, por nëse do te arrihet një marrëveshje në Eurogroup që do të sigurojë qëndrueshmërinë e borxhit, Greqia do të reagojë pozitivisht.

“Referendumi i së dielës nuk ka të bëjë me qëndrimin apo jo të vendit tonë në Eurozonë. Kjo është e padiskutueshme dhe askush nuk mund ta vërë në dyshim”, tha kryeministri i Greqisë.

Burime qeveritare shprehen se nëse në referendumin e së dielës mbizotëron vota ‘pro’ marrëveshjes me kreditorët, qeveria “Tsipras” është e detyruar ta zbatojë dhe kjo mund të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme për disa muaj. Por edhe nëse mbizotëron vota kundër, shtojnë të njëjtat burime, përsëri Tsipras do të jetë ditën e hënë i hapur për të rinisur negociatat dhe se vota ‘jo’ nuk përbën aspak rikthim tek dhrahmia.

Orët e fundit Tsipras u ka dorëzuar një propozim të ri huadhënësve, thuhet nga zyra Kryeministrore, që përgënjeshtron faktin se qeveria ka pranuar totalisht kërkesat e kreditorëve.

Propozimi i ri kërkon një marrëveshje që do të rregullojë çështjen e financimit të Greqisë nëpërmjet mekanizmit të Stabilitetit Europian për ta bërë borxhin të qëndrueshëm, duke i dhënë theks të veçantë zhvillimit ekonomik.

Ndërkohë që mijëra pensionistë qëndruan në radhë pranë degëve të bankave, të cilat u hapën vetëm për të dhënë një pjesë të pensioneve të tyre, sekretari i përgjithshëm Këshillit të Europës ka deklaruar se referendumi nuk plotëson kushtet ndërkombëtare dhe se periudha kohore për shpalljen e tij duhej të ishte të paktën dy javë më parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat