Policia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës me patrullime të përbashkëta

Lajme

Policia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës me patrullime të përbashkëta

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 16:27

Me datë 01 korrik 2015, filloi implementimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit për patrullime të përbashkëta në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit të Shqipërisë, fillim ky i cili u realizua pas mbajtjes së një konference të përbashkët të dy kryesuesve të trafikut nga Policia e Kosovës dhe Policia e Shqipërisë.
Të vetëdijshëm për nevojën dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes dy agjencive policore në përpjekje për rritjen e elementëve të Sigurisë Rrugore, nga sot ka filluar turni i parë i zyrtarëve policor të trafikut nga Kosova për të patrulluar bashkërisht me njësitet e trafikut të Policisë së Shqipërisë në Shqipëri.
Të ndërgjegjshëm për faktin se gjatë sezonit turistik, ka një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve nga Kosova që shkojnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë, si dhe të mjeteve që qarkullojnë në akset kryesore rrugore që lidhin të dy vendet, është parë e nevojshme realizimi i kësaj marrëveshje të përbashkët.
Me synim intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe për të forcuar bashkëpunimin midis policive të dy vendeve, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave të përbashkëta si dhe me qëllim ngritjen e sigurisë në trafik për pjesëmarrësit e të dy vendeve janë vlerësuar të nevojshme dhe të suksesshme patrullimet e përbashkëta në Shqipëri.
Po ashtu ky patrullim i përbashkët ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit konkret në fushën e parandalimit të kundërvajtjeve administrative, për rritjen e efikasitetit të luftës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në aksidentet rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor, për krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet, thuhet në komunikatën e policisë së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat