A ishte çmenduri akademike titulli akademik për Oliver Shmidin!?

Lajme

A ishte çmenduri akademike titulli akademik për Oliver Shmidin!?

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 14:02

Oliver Shmid, më në fund gjeti kohë ti paraqitej të martën Akademisë së shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që të merrte dëshminë se është anëtar legjitim i jashtëm i kësaj akademie. Oliver Shmid është anëtar edhe i Akademisë Austriake, dhe bile si atribut që të jetë edhe anëtar i ASHAK-ut tonë, është fakti se qenka hyrë në atë akademi shumë herët, në moshë të re (fjalësi tipike që regjistroheshin në retorikën e komunizmit, vetëm i varfër dhe se rrjedh nga një klasë punëtore i mungonte atribuimit).
Në shkencë mosha nuk paraqet vlerë, përveç për moshën e pensionimit, të tjerat janë pjesë e ciklit jetësor, që përbëjnë objekt studimi për shkenca të caktuara, por nuk përbën mundësi rangimi në dijet shkencore.
Por, kush në të vërtetë është Shmidi për shqiptarët!? Mbi të gjitha ai u bë i njohur ndër ne duke u tallur me shqiptarët, të kaluarën tonë dhe origjinën. Për të është plotësisht e diskutueshme nëse shqiptarët janë apo jo pasardhës të ilirëve, ndërsa Skënderbeu është një mit zhgënjyes. Për heroin kombëtar të shqiptarëve nuk ka një libër më antiskenderbe dhe një libër më antishqiptar.
Serbët sado që janë antishqiptar, ata nuk ishin kundër Skënderbeut, madje edhe në ceremoninë, që vetëm Kosova lejon të tilla, kreu i kishës serbe e quajti Skënderbeun, një hero serb, duke ia ndryshuar edhe emrin në Gjurgje, por Shmid, ndonëse nuk e bën këtë, për të Skënderbeu është një aventurier, një njeri që nuk ka bërë asgjë për shqiptarët, frymë të cilën e kultivon sot edhe rrjeti radikal islamik, qoftë ai pro turk apo proarab.
Për Shmidin nuk ka rëndësi se çfarë e konsideronte Papati në Vatikan dhe se Papa Piu i II nga viti 1458 e kishte bërë emërimin e tij, mbret, dhe jo vetëm të Shqipërisë së kohës apo të territoreve që kishte në zotërim, por Shmid as nuk i sheh dhe as nuk i njeh këto dokumente, por gjen ca letërkëmbime private, dhe na i sjellë si kryedëshmi, pavarësisht se letërkëmbimi është komunikimi më subjektiv që mund të gjendet, po aq sa legjenda shqiptare e prerjes së shkëmbit me shpatë nga Skënderbeu.
Po ashtu për Shmidin nuk kishte rëndësi se Skënderbeu luftoi edhe përkrah mbretërve të Napolit, Ferdinandit dhe Alfonsit, të cilët i dhanë pasuri të tëra, në dukat, por edhe feude të tëra. Por, ajo që është më e rëndësishme për një popull dhe për historinë për Shmidin është minore, se ishte Skënderbeu që e mundi perandorinë osmane në çdo betejë dhe Republikën e Venedikut në një betejë, të vetmen me të dhe të zhvilluar në mënyrë frontale e klasike.
Po, për çfarë ju dha titulli akademik, për cilat libra, nëse jo për Skënderbeun?! Ai të martën nuk foli asgjë për Skënderbeun, antiheroin e tij dhe të islamistëve radikal të sotëm në Kosovë! Por, gjërat tjera që ka bërë për shqiptarët se bëjnë aspak më të denjë për një akademi shqiptare. Po të ishte se aq shumë ka bërë për shqiptarët, e para që do ta anëtarësonte do të duhej të ishte Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë, ku edhe ju botua, e përkthye Skënderbeu.
Por, më pas opinioni publik e pa se çfarë bëri, dhe elita e gjykoi si jo shkencorë dhe tendencioz ndaj shqiptarëve librin dhe ‘shkencën’ e Shmidit.
Nëse është tendencioz ndaj shqiptarëve si mund të bëhet anëtar akademie një njeri i tillë, kur edhe akademikë tanë, si zakonisht post festum, pas marrjes së vendimit për anëtarësim e kritikuan dhe e deshifruan si jo shkencor në çështjet që shtron për shqiptarët. Po si bëhet more akademik një njeri që na tha se ne jemi si jevg apo të tjerë të sjellur nga perandoria osmane! Kjo a nuk është një çmenduri akademike!?/BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat