Shqiptarët dhe Gjermanët, i kthehen miqësisë së natyrshme!

Lajme

Shqiptarët dhe Gjermanët, i kthehen miqësisë së natyrshme!

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 10:25

Një pritje madhështore për një kryeministër të një vendi me shumë probleme, jo se janë të pa zotët shqiptarët që ti zgjidhin, por më shumë për shkak të ndërthurjes së jashtëzakonshme dhe komplekse të shumë vendeve, me interesa të ndryshme, dhe me prani të fuqishme në Kosovë. E kur kësaj i shtohet subversioni serb, gjërat vështirësohen tej mase. Një shtet tepër i brishtë, më shumë se sa që mund të aspironin madje vetë serbët (Por, kjo çështje nuk është objekt diskutimi i veçantë tani, pasi kemi shprehur në vazhdimësi argumentet tona).
Pritja që kancelarja Angela Merkel i bëri kryeministrit Isa Mustafa, (pa ditur më shumë rreth të fshehtat e organizimit), është një nderim dhe homazh i raporteve më shumë se një shekullore, që gjermanët, dhe këtu nuk mund të mbesin jashtë këtyre raporteve ato me perandorinë austro-hungareze, kishin me shqiptarët.
Një respekt që nuk vjen vetëm nga politika dhe diplomacia, por si jehonë e reflektimit dhe lidhjeve me shqiptarët që nga Mesjeta, koha e artë e princërve të Arbërit, dhe e kurorëzuar me mbretin shqiptar, prej më të jashtëzakonshëmve që ka pasur njerëzimi, Skënderbeun, tek i cili edhe vet perandoria e mundur osmane, shihte diçka hyjnore, ringjalljen e strategut më të madh të të gjitha kohërave, Aleksandrit (Lekës) të Madh, në kujtim të të cilit, me admirim e quajtën Iskender (sipas emërimit të tyre për Aleksandrin).
Nga shekulli i XIX e këndej nuk do të jetë politika ajo që do ti paraprijë marrëdhënieve shqiptaro-gjermane. Janë studiuesit e gjuhës, kulturës, historisë, filozofët ata që do ti paraprijnë këtyre raporteve. Janë teoritë e para gjermane për indoeuropianishten, dhe që në themel (rrënjë) të këtij trungu do të vendosin gjuhën shqipe, para asaj greke, që e gjithë Europa romantike po ngazëllehej nga rizbulimi i Greqisë së lashtë, fal së cilës dalldi edhe sot Greqia po e kullot buxhetin e Europës.

Por, çfarë ndodhi në Berlin!?

Më shumë se sa vetë përmbajtja e bisedave, pritja ceremoniale me gardën kombëtare gjermane, i dhanë një energji të jashtëzakonshme këtyre raporteve, që po besojmë të ripërtërihen dhe të rifuqizohen.
Gjermania në Ballkan ka siguruar, pas Kroacisë, aleatët të sigurt edhe shqiptarët. Por, në thelb, Shqipëria dhe Kosova së bashku, në një të ardhme edhe Maqedonia (qoftë si shtet i qeverisur nga shqiptarët, qoftë si territor i bashkangjitur Kosovës dhe Shqipërisë), përbëjnë aleancën më të madhe dhe më të fuqishme në Ballkan.
Kjo aleancë merr kuptim të jashtëzakonshëm, kur Greqia, është një ish aleate që ka përbuzur kujdesin dhe rriten e siguruar nga gjermanët. Greqia për shumë vite u qeverisë nga një dinasti gjermane, në krye me mbretin Oto, dhe në saje të asaj ndihme ekzistoi dhe u rrit si shtet. Edhe gjatë gjithë dekadave të fundit u zhvillua në saje po të ndihmës evropiane, e cila dominohej thellësisht nga ajo gjermane.
Pra, në këtë raport gjeostrategjik, shqiptarët edhe si ithtar të prodhimit gjerman, kulturës gjermane dhe politikës së saj, shndërrohen në aleat të natyrshëm, veçmas kur ekspansioni ruso-ortodoks, po shënon rritje, i cili po gjen mbështetje në Ballkan, pikërisht nga Greqia dhe nga Serbia.
Ky është një raport tjetër përcaktues, që rizgjon aleancat e vjetra, në të cilat shqiptarët ishin faktori kyç për të parandaluar daljen ruse në Adriatik, përkatësisht Mesdhe nëpërmjet Serbisë, si shteti bosht i përkrahjes.
Por, që kjo aleancë të fuqizohet politika shqiptare dhe vet z.Mustafa duhet të tregohen të ndjeshëm, racional, dhe të guximshëm, që të kërkojnë më shumë në këtë ngjizje të re raportesh.
Po ashtu nuk duhet krijuar ngazëllim, që mund të cenojë sado lehtësisht raportet me SHBA-në, kryealeatin tonë. Biles, Gjermania duhet të shfrytëzohet për rritjen e kësaj aleance.
Të njëjtën gjë duhet ta bëjë Shqipëria, ku Edi Rama e pret kancelaren Merkel, në mënyrë që shqiptarët të rindërtojnë rrugët e thyera me aleancën gjermane, të cilën sistemi diktatorial e kishte thyer tepër rëndë, duke refuzuar edhe dorën e zgjatur gjermane, që Shqipëria të dilte nga përmbytja!
Në fund të fundit, këto marrëdhënie e kanë paradigmën e madhe gjermano-austriake, të dekadës së dytë të shekullit të kaluar, kur kërkonin që shqiptarëve tu njihej shteti në kufijtë etnik të tyre!
Mos të harrohet, pavarësisht që ne kemi pak studime e informacione, arkivat gjermane përmbajnë gjithë[ka, se si tokat dhe populli shqiptar u tkurr, që nga krijimi i shtetit grek në Ballkan, atij serb dhe malazez! Në Europë moderne peshën e kësaj shtypje të më të fuqishmëve, më shumë se kushdo tjetër e kuptojnë gjermanët krenar!

I. Morina

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat