Sulm terrorist në Londër? Ja si do të përgjigjeshin forcat speciale (Foto/ Video)

Lajme

Sulm terrorist në Londër? Ja si do të përgjigjeshin forcat speciale (Foto/ Video)

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 18:11

Policia dhe forcat e shërbimeve të emergjencës kanë marrë pjesë në stërvitjen më të madhe ndonjëherë kundër terrorizmit të zhvilluar në Londër, gjatë kësaj të marte, me rreth 1 mijë oficerë që testuan se si mund t’i përgjigjeshin një sulmi potencial terrorist në kryeqytetin britanik.

Britania ndodhet aktualisht në gjendje alarmi të përshkallëzuar, pas sulmit të një agresori në resortin turistik të Tunizisë, në Sousse, javën e kaluar, ku mbetën të vdekur 39 persona, shumica e të cilëve turistë britanikë.

Stërvitja dyditore ishte planifikuar përpara kësaj ngjarjeje - thotë një zëdhënës qeveritar, - që pas sulmeve të janarit të këtij viti në Paris, në të cilat agresorë islamikë vranë 17 persona pas një bastisjeje të selisë së revistës satirike “Charlie Hebdo”, si dhe sulmit në një supermarket hebre.

Por, pas sulmit të dhunshëm në Tunizi, qeveria paralajmëroi publikun se përpjekjet për të kryer një sulm në Britani janë edhe më të mëdha.

Shumica e ushtrimeve stërvitore u kryen në terrene të hapura, në sytë e publikut, në disa vendndodhje të ndryshme në të gjithë kryeqytetin britanik, por reporterët kanë thënë se rreth 6 oficerë të armatosur policie, disa prej të cilëve mbanin edhe mburoja, hynë në një stacion të dalë nga përdorimi nëntokësor në qendër të Londrës, në gjueti të “terroristëve” të supozuar, ndërkohë që janë dëgjuar edhe të shtëna armësh gjatë mëngjesit të së martës.

Një personel tjetër i kësaj stërvitjeje është parë nëpër rrugë duke trajtuar “të plagosurit” e supozuar.

Një përfaqësues i Policisë Metropolitane të Londrës, Maxine de Brunner, tha për “Reuters” se shkalla e stërvitjes ishte më e madhe nga çdolloj ushtrimi i kryer në të kaluarën në kryeqytetin britanik.

Në të morën pjesë autoritete të transportit në Londër, qeveria lokale dhe Ministria e Mbrojtjes, teksa u mblodh në një situatë “emergjente” edhe komiteti “Cobra” i qeverisë britanike për të ndërhyrë.

Kryeministri David Cameron tha para Parlamentit gjatë së hënës se stërvitjet trajnuese do të “testojnë dhe përmirësojnë gatishmërinë e Britanisë së Madhe për t’u përballur me një sulm të mundshëm dhe serioz terrorist”.

Stërvitja masive ndodhi vetëm një javë përpara 10-vjetorit të shpërthimeve kamikaze në rrjetin e transportit publik në Londër, të kryer prej 4 islamikëve me shtetësi britanike, që lanë 52 viktima. /Top Channel/









Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat