Një kërcënim që nuk duhet neglizhuar

Lajme

Një kërcënim që nuk duhet neglizhuar

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 17:34

Që prej publikimit të një videoje propagandistike nga grupi militant Shteti Islamik (IS) për disa vende të Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën, masat e sigurisë në vend duket se janë shtuar ndjeshëm.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për medie, ka thënë se “në vazhdimësi është duke e bërë vlerësimin e rreziqeve të mundshme të sigurisë në vend dhe në këtë kuadër edhe vlerësime për rreziqet që mund të vijnë nga terrorizmi, grupet terroriste apo individ që ndërlidhen me këto aktivitete”.

Haxhi Shala, kryetar i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjensionit Kosovar për Intelegjencë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se institucionet e sigurisë së vendit kanë shqyrtuar kërcënimet e mundshme dhe sipas tij, ato kanë ndërmarrë masat e sigurisë.

“Edhe Kosova ka ngritur gjendjen e gatishmërisë. Ka dy javë që këtë e ka bërë Policia e Kosovës. Njëkohësisht, edhe AKI është duke i vëzhguar në çdo hap individët që kanë lëshuar mesazhe kërcënuese. Kështu që, besoj që gjithçka e kanë nën kontroll institucionet e sigurisë”, tha Shala.

Florian Qehaja, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se video propagandistike nga grupi militant Shteti Islamik për disa vende të Ballkanit, është në kuadër të fushatës që ky grup e bën për të mbjellë frikë dhe pasiguri tek popujt në Evropë, e sidomos te shtetet e Evropës perëndimore, që kanë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sipas tij, shtetet e Ballkanit perëndimor nuk kanë ndonjë relevancë në këtë drejtim dhe ato nuk janë caku kryesor i grupit militant Shteti Islamik.

“Unë nuk e shoh nivelin e kërcënimit në atë masë që qytetarët e Kosovës - në këtë rast po flas për Kosovën - të shqetësohen. Mirëpo, nuk duhet neglizhuar si kërcënim, për vet faktin që qytetarët tonë veprojnë atje dhe ata potencialisht mund të përdoren apo keqpërdoren për të arritur ndonjë qëllim të caktuar, që në fund të fundit, në fokus ka mbjelljen e frikës dhe pasigurisë”.

Shala, nuk konsideron se grupi militant Shteti Islamik mund të kërcënojë seriozisht sigurinë e vendit.

“Vendi nuk është i rrezikuar nga ideologjia e IS-it apo individët që kërcënojnë. Nuk është kërcënim serioz dhe gjithçka është nën vëzhgim, përfshirë ata persona që kërcënojnë ose mendojnë diçka të tillë”, tha Shala.

Policia e Kosovës, përmes komunikatës gjithashtu ka theksuar se në fushën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, “ka bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me institucionet tjera të sigurisë në vend, duke përfshirë edhe institucionet relevante ndërkombëtare në rajon dhe më gjerë”.

Por, Qehaja vlerëson se për sa i përket bashkëpunimit rajonal në sferën e policisë dhe intelegjencës, Kosova çalon, për shkak se, sipas tij, ajo nuk ka qasje në iniciativat rajonale të sigurisë, sidomos kur flitet për bashkëpunimin në këtë drejtim me Serbinë dhe Maqedoninë.

“Konsideroj që asnjë shtet nuk mundet që me forcat vetanake të parandalojë një rrezikshmëri të tillë, për arsye se është vështirë të identifikohen njerëzit që kanë qëllime të tilla. Armiku nuk ka adresë dhe mund të gjendet në mesin tonë, por mund të vij edhe nga jashtë".

"Kur them ‘në mesin tonë’, atëherë mendoj se qytetarët e Kosovës duhet të bashkëpunojnë me organet e sigurisë dhe ta ndajnë me ta çdo indikacion, sado të vogël, si dhe çdo informacion të mundshëm, që shpien në drejtim të parandalimit të ndonjë qëllimi të keq të mundshëm”.

Qehaja ka shtuar se në rast se vlerësohet që kërcënimi potencial vjen nga jashtë, atëherë institucionet e sigurisë duhet ta rritin kontrollin kufitar, sidomos në aeroport, si dhe të shtojnë masat e kontrollimit dhe verifikimit të pasagjerëve që hyjnë në territorin e Kosovës.

Policia e Kosovës, ka theksuar se është duke mbikëqyrur “çdo aktivitet të personave fizik dhe juridik për të cilën siguron informata se mund të paraqesin rrezik për rendin kushtetues në të ardhmen apo mund të kryejnë ndonjë vepër penale” dhe se “e gjithë kjo bëhet me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të ndonjë vepre penale të mundshme, duke përfshirë veprat e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar”. / rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat