Mogherini: S’ka marrëveshje Kosovë-Serbi

Lajme

Mogherini: S’ka marrëveshje Kosovë-Serbi

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 09:42

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini theksoi herët këtë mëngjes se pas raundit të ri të dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës, është përpiluar vetëm teksti final i dy marrëveshjeve.

Kështu së paku shkruhet në deklaratën e lëshuar pas një takimi maratonë prej 16 orësh mes delegacionit të Prishtinës dhe Beogradit, të cilat janë kryesuar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas Mogherinit, është përpiluar teksti përfundimtar rreth marrëveshjes mbi parimet për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) në Kosovë, si dhe zbatimin e marrëveshjeve në fushën e Telekomunikacionit.

“Marrëveshja politike përfundimtare, megjithatë, nuk është arritur”, theksoi Mogherini në deklaratën e saj të lëshuar për mediat, duke shtuar se “menjëherë ka filluar punën për hapat e ardhshëm që do të merren në këtë drejtim”.

Kujtojmë se mbrëmë pas takimit në Bruksel, mes kryeministrit Isa Mustafa dhe atij serb Aleksander Vuçiq, ky i fundit në një prononcim për gazetarë ka thënë se “Beogradi ka dhënë gjithçka nga vetja, për të arritur marrëveshje”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat