Njihuni me Shyqën, i cili ktheu orën të ec mbrapshtë

Lajme

Njihuni me Shyqën, i cili ktheu orën të ec mbrapshtë

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 22:48

Profesionet e njerëzve janë nga më të ndryshmet ashtu sikur edhe fatet e tyre të cilat asnjëherë nuk janë të njëjta. Rita Ora, dhe Shyqeri Sahatçiu, kanë diçka të përbashkët, ndonëse nuk janë në lidhje familjare dhe as nuk njihen mes vete. Rita, e ka ndërruar mbiemrin e saj Sahatçiu me Ora, për shkak të artit, ndërsa Shyqeriu e ka zëvendësuar mbiemrin e tij Qerimi me atë Sahatçiu, për shkak të dashurisë ndaj zejes me të cilën merret që nga fëmijëria.

E njohin në qytetin e Gjilanit si Shyqa, si mjeshtri më i vjetër në qytet i orëve i cili që nga viti 1971, e ushtron këtë profesion me dëshirë dhe vullnet të madh. Shyqa, tani edhe pse në moshë të vjetër vazhdon të punoj në profesionin e tij të preferuar si mjeshtër i orëve.

Ai tregon për KosovaPress, se qysh kur ishte fëmijë i kishte interesuar dhe ishte kuriozë ta dinte se si punon ora.

“Qysh në moshën gjashtë vjeçare, më interesonte të di si mund të punoj ora, të jetë e saktë, dhe ta masë kohën”, thotë Sahatçiu.

Shyqa, tregon se si tinëzisht nga babai, ia kishte marr orën e murit dhe ia kishte hequr kapakun dhe kishte bërë disa prova me të dhe e kishte prishur.

“Bëra disa prova me orën e prishur dhe ia arrita prapë ta montoj dhe ta kthej në jetë dhe ishte kënaqësi e madhe e imja kur orës time iu kthye jeta”, rrëfen tutje Sahatçiu.

Sipas Shy qës, i cili në atë kohë jetonte në fshat menjëherë, pasi fshatarët e morën vesh se e kishte rregulluar orën kishin filluar t’ia sillnin orët e tyre të prishura për ti rregulluar.

“Në vitin 1969, iu shtrova provimit për orëtar dhe isha ndër të parët në Gjilan që mund t’i “operoja” orët”, theksoi Sahatçiu për KosovaPress.

Shyqa edhe sa ishte në shërbimin ushtarak e kishte punuar këtë profesion dhe se atëherë e kishte më të lehtë t’i rregullonte orët e prishura sepse sipas tij, ato ishin ora mekanike ndërsa tani ka më shumë në treg ora automatike.

“Zakonisht tash më shumë myshterinjtë i bien për t’i rregulluar orët automatike të cilat është shumë vështirë për t’i rregulluar edhe pse i kam të gjitha mjetet e duhura në lokal”, vazhdon rrëfimin Shyqa.

Njeriu i dytë në botë, që e bëri orën të lëviz mbrapsht

Shyqa, thotë se e kishte parë nëpërmjet televizi onit se si një japonez, kishte arritur që ta kthej orën që të ec mbrapa, që një gjë të tillë më parë nuk kishte arritur ta bënte askush në botë.

“Me janë dashur katër ditë punë për t’ia arritur këtij qëllimi dhe ka qenë mjaft e vështirë, por në anën tjetër isha edhe shumë i gëzuar sepse ky lajm në atë kohë ishte nëpër të gjitha mediat. Qarkullonte lajmi se një shqiptar nga Kosova, ka arritur të bëhet njeriu i dytë pas japonezit, që kishte arritur të rregulloj orën që të lëvizë mbrapa”, ka thënë Sahatçiu.

Ora të cilën Shyqa, e kishte bërë të lëviz mbrapa qëndron ende në dyqanin e tij dhe të gjithë juve që iu duket e pamundur mund të shkoni dhe ta vizitoni dhe të bindeni me këtë fakt.

Askush më mirë se Shyqa, nuk ia njeh “shpirtin” orëve të vjetra dhe deri më tani ai i ka rregulluar mbi një milion ora. Myshterinjtë nuk i ka vetëm nga Gjilani, ata i vijnë nga të gjitha trevat shqiptar e, për ti rregulluar orët e tyre.

“Sa të ekziston bota, koha matet për këtë arsye kjo zeje nuk duhet të shuhet”, ka përfunduar Sahatçiu.

Përveç orëve Shyqa në dyqanin e tij rregullon edhe aparatet digjitale./V.Rashiti/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat