Dëshmitari: Ivanoviq urdhëronte të hidheshin bomba

Lajme

Dëshmitari: Ivanoviq urdhëronte të hidheshin bomba

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 15:37

Dëshmitari Imer Morina në gjykimin e Oliver Ivanoviqit tregoi se çfarë ka parë natën mes 3 e 4 shkurtit të vitit 2000.

Morina i tha prokurorit Michalczuk se në këtë natë serbët po i përzinin shqiptarët nga shtëpitë e tyre në veriun e Mitrovicës.

Ky dëshmitar foli edhe për situatën që mbretëronte atë natë.

“Atë natë në atë pjesë të qytetit situata ishte tensionuar tejmase nga disa grupe serbe dhe ka pasur të shtëna armësh pothuajse gjatë gjithë kohës, ndërsa ka pasur të vrarë dhe të plagosur,” u përgjigj Morina.

Në natën mes 3 e 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriore të Mitrovicës u vranë 10 shqiptarë dhe shumë të tjerë u plagosën.

Prokurori Michalczuk e pyeti dëshmitarin se a e kishte parë atë natë të akuzuarin Oliver Ivanoviq.

“E kam parë Oliverin duke urdhëruar njerëzit e tij që t’i hedhin bombat nga dritaret në banesat e shqiptarëve. Nga banesa ime pastaj kam parë po ashtu ushtarët e KFOR-it duke bartur njerëz të plagosur, ndoshta edhe të vdekur, nga ndërtesat në automjetet e tyre, por që serbët e tubuar i pengonin ata,” tha Morina.

Oliver Ivanoviqi akuzohet të ketë kryer krime të luftës gjatë vitit 1999. Ai gjithashtu, bashkë me ish-policin serb, Dragolub Delibashiq, akuzohet të ketë kryer vrasje gjatë përleshjeve, të cilat lanë 10 shqiptarë të vrarë dhe shumë të plagosur në shkurt të vitit 2000.

Tre të akuzuar tjerë, Ilija Vujaçiq, Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandar Llazoviq, akuzohen për vrasje dhe tentim-vrasje në shkurt të vitit 2000.

Prokurori e pyeti dëshmitarin Morina se a i njihte të akuzuarit tjerë të këtij procesi.

“Dragolub Delibashiqin e kam parë njëherë para lufte në uniformë të policisë, ndërsa të tjerët nuk i njoh,” tha dëshmitari.

Burhan Maxhuni, mbrojtës i viktimave të këtij procesi tha se dëshmia e Morinës dhe të tjerëve mjafton për ta dënuar Ivanoviqin.

“Unë mendoj se kemi prova të mjaftueshme për ta mbajtur në burg Oliverin dhe për ta marrë dënimin e merituar për veprimet në këtë vepër penale. Në bazë të dëshmisë së sotme, por edhe dëshmive tjera që janë dhënë nga dëshmitarët e mëhershëm, ka prova të mjaftueshme që Oliver Ivanoviqi të dënohet,” theksoi Maxhuni.

Por Ljubomir Pantoviq, mbrojtësi i Oliver Ivanoviqit e tha të kundërtën kur foli për KALLXO.com pas seancës.

“Dëgjuam dëshmitarin që deklaroi se pa Oliver Ivanoviqin ditën kritike, megjithatë më duhet të them që kualiteti i deklaratës së tij është mjaft i dobët që do të vërtetohet më vonë gjatë shqyrtimit gjyqësor. Ai në shumë momente ndryshoi deklaratën që ia kishte dhënë policisë. Tash nuk do të flas për detajet, por ajo deklaratë që e dha atëherë dhe kjo që e dëgjuan sot ndryshojnë shumë për shumë gjëra,” tha Pantoviq.

Edhe dëshmitarë të tjerë gjatë këtij gjykimi deklaruan se e panë Ivanoviqin të armatosur dhe të uniformuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat