Babai i Arben Berishës dëshmoi në rastin Sekiraqa

Lajme

Babai i Arben Berishës dëshmoi në rastin Sekiraqa

Më: 30 maj 2015 Në ora: 15:07

Avdyl Berisha, babai i Arben Berishës, të dënuarit për vrasjen e Triumf Rizës, dëshmoi të premten në gjykimin kundër Enver Sekiraqës.

Sekiraqa akuzohet mes tjerash për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.

Prokurori i rastit pretendon se me paratë të cilat Arben Berisha i mori nga Enver Sekiraqa për këtë vrasje, ndërtoi shtëpinë e familjes Berisha, por kreu i familjes Berisha e mohoi kategorikisht këtë në gjykatë, duke thënë që shtëpinë e ndërtoi me djersën e tij.

“Unë rrogën time që kam marrë e kam kursyer, ndërsa nga puna e fëmijëve të mi, i kemi mbuluar shpenzimet e shtëpisë”, tha Berisha.

Berisha tregoi se shtëpia e re është ndërtuar në vitin 2011, në vendin e njëjtë në të cilin kishte qenë shtëpia e vjetër.
Berisha bëri me dije se ka punuar gjithë jetën e tij në Korporatën Energjetike të Kosovës, ndërsa tani është para pensionit. Ai tha se ka pasur dhe ka edhe tani një pagë të arsyeshme, por prapë për ndërtimin e shtëpisë i është dashur t’i marrë edhe dy kredi.

“Për të mbuluar shpenzimet e shtëpisë kam marrë edhe dy kredi, të cilat tani edhe pak muaj i kthej”, tha Berisha.
Prokurori i rastit, Andrew Carney, e pyeti Berishën se pse, edhe pse kishte një pagë të arsyeshme, nuk kishte vendosur për përmirësimin e kushteve të banimit më herët [para vrasjes së Rizës në vitin 2007.

“Unë kam qenë djali i madh i familjes dhe kam pasur obligime familjare, pasi që babai më kishte vdekur dhe unë është dashur t’i përmbush obligimet e mia ndaj familjes fillimisht”, u përgjigj Berisha.

Pyetje dëshmitarit Berisha, iu bënë edhe lidhur me djalin e tij, tani më të dënuar për vrasjen e Triumf Rizës.
“Ai ka qenë një djalë i urtë, i dëgjueshëm, dhe i respektueshëm për mua”, tha Berisha.

Prokurori Carney e pyeti dëshmitarin edhe për lidhjet e djalit të tij me Sekiraqën, por ky e mohoi se Arben Berisha kishte pasur ndonjë kontakt me të.

“Djali im asnjëherë nuk e ka përmendur Sekiraqën”, tha Berisha.

Arben Berisha është gjykuar dhe gjetur fajtor për vrasjen e Policit Triumf Riza, në gusht të vitit 2007, duke u dënuar me 40 vjet burg në qershorin e vitit 2010, ndërsa Enver Sekiraqa po akuzohet nga prokuroria për nxitje të kësaj vrasjeje.

Më pas gjatë 2011 pas ankesës së mbrojtjes së Arben Berishës, Gjykata e Apelit ia zvogëloi atij dënimin për pesë vjet.
Seanca e radhës në rastin Sekiraqa është praparë të zhvillohet më 1 qershor./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat