Pacolli: Kontributi dhe fama e Isa Boletinit zbehet nëse nuk varroset në Vlorë

Lajme

Pacolli: Kontributi dhe fama e Isa Boletinit zbehet nëse nuk varroset në Vlorë

Më: 29 maj 2015 Në ora: 11:34

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në bisedimet Kosovë-Serbi, në fushën e sigurimeve, Rrahim Pacolli ka përkrah rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë.

“Në historinë tonë shquhen shumë personalitete që bartin vulën e caktuar të atyre gjërave madhore që kanë bërë për sakrificën kombëtare kur ata jetuan. I tillë është edhe Isa Boletini, një figurë që me siguri do ta kishte lakminë çdo popull ta kishte të vetin.
Polemika rreth varrosjes së eshtrave të tij kohëve të fundit më duket shumë absurde.
Për mendimin tim, Isa Boletini duhet të varroset atje ku është themeli i shtetit modern shqiptar, pra në Vlorën e bekuar. Këtu vlen të cekët një fakt historik që ky njeri do të duhej patjetër të pushoi atje ku e ka vendin”, thekson Pacolli.

Sipas tij, gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, Isa u vu në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë. Në këtë periudhë emri i tij u lakua e komentua shumë në shtypin e kohës i lidhur me betejat e Cernalevës, Kaçanikut, Shkupit dhe të Kalasë së Mitrovicës, ku gjeti vdekjen edhe konsulli rus që ndihmonte serbët në operacionet kundër shqiptarëve.

“Në ditët e pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës,- ku tregohet se Ismail Qemali i ofroi një post ministri, e Isa ìa ktheu “Jo Ismail, se duhen njerëz të shkolluar”, dhe i rekomandoi M. Derallen. Këtu ngarkohet dhe krijon Gardën e parë të Ushtrisë shqiptare duke vendosur rregull në disa zona të jugut e duke mbrojtur zonat e bregdetit nga forcat greke. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar e përfaqësues i Ushtrisë Shqiptare, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë”, shkruan Pacolli në fb.

Ai pohon se, ka edhe shumë figura historike kombëtare e ndërkombëtare që janë lindur diku tjetër e janë varrosur diku tjetër. Isa Boletini ju takon të gjithë shqiptarëve sepse edhe i tillë ishte. “Kontributi i tij dhe fama që ai ka në arenën kombëtare e ndërkombëtare në një formë apo tjetrën do të zbehej po që se mbetjet e tij nuk do të varroseshin atje ku ai krijoi edhe Gardën e parë të Ushtrisë Shqiptare, pra në Vlorë”, thekson Pacolli.BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat