Kurti: Deputetët po shantazhohen nga krerët e tyre partiak dhe qeveria

Lajme

Kurti: Deputetët po shantazhohen nga krerët e tyre partiak dhe qeveria

Nga: Mimozë Lakna Më: 29 maj 2015 Në ora: 11:29

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, konsideron se, vullneti personal i deputetëve është që të mos e votojnë Gjykatën Speciale, mirëpo, sipas tij deputetët po shantazhohen.

“Vullneti personal i deputetëve është që të mos e votojnë Gjykatën Speciale, por vota publike dhe disponimi privat shpeshherë nuk përputhen për një numër të konsiderueshëm të këtyre deputetëve. Pra më shumë deputetët ishin të frikësuar në rast se nuk votojnë kundër, sesa që mendonin se duhej të votonin. Kjo do të thotë që nuk kanë arritur që t`i shantazhojnë të gjithë por disa kanë arritur që t`i shantazhojnë, atyre ju nevojiten 80 vota dhe sot nuk i kishin 80 vota dhe uroj të mos i kenë asnjëherë”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, disa nga deputetët frikësohen nga krerët e tyre partiak, frikësohen nga qeveria dhe nga shantazhet dhe kërcënimet e ndryshme që shkojnë mbase edhe tek burokratët ndërkombëtar të cilët thanë se nëse nuk e bëni ju e bën Këshilli i Sigurimit.

“Mirëpo, ju e dini mirë që Lista serbe u kthye në Kuvend të Republikës pikërisht për ta votuar Gjykatën Speciale. Nëse do t`i konvenonte Serbisë dhe Rusisë që kjo çështje të shkonte në Këshill të Sigurimit, ato do të ishin të interesuara që kjo të mos bëhej në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pse Serbia dhe Rusia dhe rrjedhimisht Lista Serbe janë kthyer në Kuvend për ta votuar Gjykatën Speciale? Sepse ata duan që vet Kosova ta bëj një gjë të tillë në mëqnyrë që pas një kohë të thonë: ju vet e votuat mos u ankoni për këto dënime të padrejta e drakonike”, potencoi Kurti.

Edhe Zafir Berisha, deputet nga Nisma për Kosovën, theksoi se me votimin e kësaj Gjykate merret sovraniteti i shtetit, ndërsa u shpreh se qeveria po kërkon hapësirë për t`i shantazhuar deputetët.

"Nuk besoj se duhet të votohet një gjykatë ku merret sovraniteti i shtetit, sovraniteti për të cilin kanë dhënë jetën shumë dëshmorë dhe luftëtarë. Sigurisht se, po t`i kishin pasur votat do ta votonin por meqë nuk i kanë votat kanë kërkuar hapësirë për t`i shantazhuar edhe më tutje deputetët", tha Berisha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat