Gjykata speciale po formohet për shkak të dështimit politik të komandantëve!

Lajme

Gjykata speciale po formohet për shkak të dështimit politik të komandantëve!

Më: 29 maj 2015 Në ora: 10:30

Gjykata speciale dhe dënimi i dy gjeneralëve të Drenicës, për vepra që nuk argumentojnë as heroizmin antisllav, dhe as burrërinë shqiptare, janë shpjegimi më i mirë i kësaj katandie politike, në të cilën është sjellur vendi.
Dënimi i grupit “Drenica”, duhet të shihet si një ogur për atë se çfarë do të vendos edhe më brutalisht Gjykata Speciale, gjithnjë me të njëjtin vizion, që shqiptarët të paguajnë koston maksimale edhe për krimet më minimale të luftës. Shqiptarët kanë vrara disa dhjetëra serb, ndërsa serbët jo vetëm kanë vrarë dhjetëramijëra, por edhe kanë plagosur dy herë më shumë, kanë dhunuar po aq, dhe kanë dëbuar mbi një milion njerëz nga shtëpitë e tyre, dhe kanë shkrumbuar mbi 200 mijë prona, kanë dëmtuar dyfishin e tyre, dhe kanë plaçkitur thuaja çdo shtëpi.
Por, për të gjitha këto janë gjykuar e po gjykohen vetëm disa dhjetëra serbë, thuaja po aq sa shqiptarë.
Edhe gjykimet duhet të jenë proporcionale me krimet! Këtë të gjithë e dinë. Nëse kjo nuk po ndodhë, atëherë është një standard që nuk e ka arritur ende as demokracia perëndimore, kuptohet këtu fajin kryesor e ka Europa me politikën e ekui-balanceve. Kështu që rezultati është ky i tanishmi. Por, në fund të fundit nuk është i gjithë faji i tyre për krijimin e Gjykatës Speciale. Mungesa e një lidershipi shqiptar pas vdekjes së Rugovës, dhe çarjet që ia bënin rugovizmit, po këta të sotmit që kërcënohen sot nga gjykata speciale, janë kryefajtorët, që ishin të gatshëm të digjnin Kosovën për ta shpëtuar veten. Kjo mungesë vizioni, dhe papapajtueshmërie me rugovizmin sot po u kushton atyre personalisht më shumë se kujtdo tjetër.
Por, sot, ata janë të pafuqishëm, që ta bëjnë këtë, pavarësisht kërcënimeve me protesta dhe me vota madje. Perëndimi këtë e ka qartësuar me vlerësimin tanimë retorik, se imazhi i Kosovës nuk duhet të dëmtohet më tej! Perëndimi nuk është i gatshëm që ta dështojë tërë projektin e tyre, investimin e tyre në Kosovë, për hir të fatit të një grupi individësh, që dorën në zemër, më shumë se këdo tjetër i kanë lodhur shqiptarët, me mos mbrojtjen e interesave të tyre në këto 16 vjet lirie.
Pra, kjo dihotomi e figurës së tyre, ka bërë që ta humbin dhembshurinë në Kosovë, (nëse dikur në protesta dilnin edhe dhjetë mijë veta, sot ky numër është shumëfish më i vogël) përfshirë edhe ndëshkimet për ata që dha gjykata në Mitrovicë, e udhëhequr nga gjykatës të EULEX-it.
Kjo është kostoja, që po e paguajnë për mungesën e atdhetarisë së pastër, për keqkuptimin që ia shkaktuan rugovizmit, dhe pengesat që ia nxorën vendit për arritjen e zhvillimit. Pasi kanë pasur në duart e tyre gjithë kohën e nevojshme, që rastet e dyshuara për krime ti gjykonin vet, dhe kështu ta shpëtonin veten dhe imazhin e Kosovës, dhe të mos mbetnin në duart e Gjykatës Speciale, dhe kërcënimit që ajo të themelohet edhe nga OKB-ja, ku ndikimi rus do të jetë më i madh. I. M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat