​Promovohet "Fjalor shpjegues i termave të menaxhimit të emergjencave"

Lajme

​Promovohet "Fjalor shpjegues i termave të menaxhimit të emergjencave"

Më: 28 maj 2015 Në ora: 21:49

Kolegji “Biznesi” ka promovuar sot “Fjalorin shpjegues të termave të menaxhimit të emergjencave”, të autorëve prof. dr. Shyqeri Kabashi, prof. dr. Izet Shehu dhe prof. dr. Kudusi Lama, Gjeneral në rezervë.

Këtë vepër, siç u tha në promovimin në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, e karakterizojnë disa veçori, që e bëjnë njëherësh të veçantë në fushën e botimeve në mbarë kulturën shqipfolëse.

Për Fjalorin dhe veprimtarinë botuese të Kolegjit “Biznesi” një fjalë rasti e mbajti Dekani i Kolegjit, prof. dr. Shyqyri Kabashin, njëherësh edhe bashkautor i veprës.

"Fjalori shpjegues i termave të menaxhimit të emergjencave”, është vetëm njëri nga botimet e rëndësishme të veprimtarisë hulumtuese e shkencore të Kolegjit, “gjë që dëshmon se ky institucion privat i arsimit të lartë në Kosovë, ka dhënë dhe jep një ndihmesë e rëndësishme edhe në ngritjen dhe përparimin e mendimit shkencor në Kosovë në fushat e dijes që zhvillohen në këtë Kolegj", tha ndër të tjera profesor Kabashi.

Prof. dr. Emin Kabashi, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Pri shtinës, dhe ligjërues në Kolegjin “Biznesi”, në cilësinë e redaktorit të veprës ndër të tjera tha se "Fjalori ka rëndësi të veçantë jo vetëm për fushën e dijes albanologjike, sidomos të degës së leksikografisë, por sepse ky nuk është një fjalor terminologjik i zakonshëm, kryesisht dygjuhësh, siç ishim mësuar të kishim deri vonë, nuk është fjalor terminologjik, vetë, sa për të mbushur një boshllëk akademik në Kolegjin “Biznesi”, por është një vepër e mirëfilltë shkencore në këtë fushë, që u hyn në punë studentëve, ekspertëve dhe punëtorëve të profesioneve të emergjencave, si dhe studiuesve të fushave të tjera të dijës"

Prof. dr. Xhevat Berisha, specialist i kësaj fushe foli për rëndësinë e shpjegimit të termave të menaxhimit të emergjencave, një fushë e dijes kjo, e cila përherë e më shumë po bëhet pjesë e veprimtarisë në jetën shoqërore.

Të pranishmit në këtë përurim, në emër të autorëve i përshëndeti Prof. dr. Kudusi Lama, gjeneral në rezervë, i cili e vlerësoi lartëpunën ekipore dhe botimin e këtij Fjalori që, siç u shpreh ai, një vepër çfarë u mungon jo vetëm institucioneve tona të arsimit të lartë në Kosovë, por edhe institucioneve të mirëfillta shkencore./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat