Sheshel sfidon ekstradimin: Luftë ndaj çdo vendimi

Lajme

Sheshel sfidon ekstradimin: Luftë ndaj çdo vendimi

Më: 28 maj 2015 Në ora: 16:17

Lideri ultra-nacionalist i Serbisë, Vojisllav Sheshel, deklaroi këtë të enjte se do të nisë një betejë gjyqësore në Serbi për të luftuar kundër cilitdo vendim, që do ta kthente atë në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte, në Hagë.

Në një intervistë për “Associated Press”, Sheshel ka thënë se nuk ka ndërmend të kthehet vullnetarisht në Hagë, por se nuk do të ikë dhe as të fshihet. Ai ka thënë se do të shfrytëzojë të drejtën e ankesës ndaj ekstradimit, bazuar në ligjet e Serbisë.

Sheshel akuzohet për rekrutim të forcave paraushtarake gjatë luftërave në Ballkan. Ai u lirua me kusht në nëntor të vitit të kaluar për trajtim mjekësor në Serbi, por gjykatësit kanë marrë vendim se, Sheshel ka shkelur kushtëzimet e vëna dhe se duhet të rikthehet në burg.

Autoritetet në Serbi kanë thënë se janë ende duke pritur urdhrin formal për arrestim nga Tribunali i Hagës. Ai i është dorëzuar Tribunalit në vitin 2003 dhe procesi gjyqësor kundër tij ka qenë i ndërprerë disa herë.

Prokurorët e Tribunalit kanë kërkuar dënim me heqje lirie prej 28 vjetësh, duke thënë se ka ndihmuar në shtimin e dhunës etnike kundër komuniteteve joserbe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat