Rufki Suma: Pjesëtarëve të UÇK-së po u vihet në kurriz barrë tepër e rëndë

Lajme

Rufki Suma: Pjesëtarëve të UÇK-së po u vihet në kurriz barrë tepër e rëndë

Më: 28 maj 2015 Në ora: 14:40

Vendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për të dënuar me burg disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të njohur si Grupi i Drenicës për krime lufte, ka nxitur reagim edhe nga Kuvendi i Komunës së Hanit të Elezit.
Këtë vendim Kuvendi i Hanit të Elezit të enjten e ka quajtur tendencë të EULEX-it për të degraduar luftën çlirimtare të UÇK-së.

Deklarata e plotë e miratuar nga Kuvendi i Komunës së Hanit të Elezit, siç njofton Koha.net dhe e cila është lexuar nga kryetari i kësaj komune Rufki Suma është kjo:

Kuvendi i Komunës së Hanit të Elezit, Vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për të dënuar me burg disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të njohur si Grupi i Drenicës për krime lufte e vlerëson si një vendimi krejtësisht politik dhe tendencë e përhershme e EULEX-it për të degraduar luftën çlirimtare të UÇK-së.

Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po u vihet në kurriz një barrë tepër e rëndë që nuk u takon atyre, diçka që është krejtësisht e huaja për ta. Në vitet e Luftës Çlirimtare janë vrarë e zhdukur mbi 15.000 shqiptarë, janë zhdukur familje të tëra, janë djegur e plaçkitur mbi 200.000 shtëpi dhe po kaq ekonomi familjare, janë shkatërruar objekte të shumta ekonomike, shkollore, shëndetësore, fetare e kulturore.

Serbia vazhdon lojën me eshtrat e të zhvarrosurve në Kosovë e të varrosur në pjesë të ndryshme të Serbisë. Regjimi që pasoi pas kriminelit Millosheviq luan më ndjenjat e familjeve të të zhdukurve, me pritje të gjata e me ankth edhe 16 vjet pas luftës në Kosovë.

Fajtorin e vërtetë, Serbinë, po e amnistojnë, dhe kjo nuk është hera e parë

Organizimi i gjahut në ish - pjesëtarët e UÇK-së, gjoja për “ krimet “ e luftës mbi civilët dhe burgosja e pjesëtarëve të UÇK-së si në shumë raste më herët, do të mbetet një skandal politik që nuk do të mbulohet me asnjë dëshmi serioze gjyqësore. Të kësaj natyre janë edhe të gjitha arrestimet, burgosjet, dënimet e pjesëtarëve të UÇK-së mbi bazën e dëshmitarëve të rrejshëm e të motivuar politikisht. Shumë të akuzuar e të arrestuar, pasi janë mbajtur me muaj të tërë në burgje, në mungesë të fakteve janë liruar si te pafajshëm.

Misionet e tilla të si “UNMIK”, “EULEX” për herë të parë e shtrijnë mandatin e tyre në një shtet dhe si askund në botë kanë hasur në respekt dhe mikpritje të sinqertë në Kosovë.

Por sa më shumë po përulemi, aq më e rëndë po na bëhet padrejtësia, aq më dërrmuese pritja për Drejtësinë Perëndimore, për Demokracinë.

Dhurata e radhës e kësaj Demokracie është “Gjykata Speciale”.

Dhe pas shumë rasteve të dështuara të Gjykatave të UNMIK-ut, të Tribunalit të Hagës, të EULEXI-it, kësaj “Gjykate Speciale” nuk do t’i mbetet gjë tjetër pos të dënojë të gjithë ata që morën guximin dhe armën në dorë të mbrojnë vendin e tyre.

Me anë të kësaj deklarate bëjmë ftesë Institucioneve të Kosovës, të partive politike, të mediave të shkruara dhe elektronike, të shoqërisë civile, që të ndalen ndjekjet për Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare dhe të kontribuojmë të gjithë që vlerat e luftës çlirimtare të mos na mohohen përditë para syve tanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat