Mustafa, Rama e Vuçiq: Të çojmë para projektet e përbashkëta

Lajme

Mustafa, Rama e Vuçiq: Të çojmë para projektet e përbashkëta

Më: 28 maj 2015 Në ora: 10:30

(E plotësuar) Në punimet e Forumit Ekonomik të Vjenës, të pranishëm janë krerët e qeverive të vendeve të rajonit.

Përveç atij shqiptar, pjesëmarrës janë edhe kryeministri serb Aleksandar Vuçiç, ai maqedonas Nikolla Gruevski dhe ai kosovar, Isa Mustafa.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama e ka vlerësuar këtë takim si një mundësi unike që vendet e Ballkanit të unifikojnë përpjekjet në rrugën e integrimit evropian, si një objektiv i përbashkët i tyre.

“Integrimi shihet si një shans unik për të ardhmen. Kjo tregon se nuk kemi kohë të kthejmë kokën prapa, por duhet të shohim drejt së ardhmes për t'iu përgjigjur sfidave të përbashkëta. Ne nuk mund të ecim të vetëm, por duhet të ecim së bashku, sepse askush nuk është i pacënueshëm. Ne duhet të inkurajojmë vetëdijen e asaj çfarë jemi, çfarë mund të ofrojmë dhe çfarë mund të përfitojmë. Bashkëpunimi për sfidat ekonomike dhe politike është thelbësor, kur synimi ynë i përbashkët është Evropa”, ka thënë Rama.

Ai ka vlerësuar se, realizimi i projekteve rajonale do të afrojë popujt tanë dhe e ka cilësuar Samitin e Vjenës një mundësi për të çuar përpara angazhimet e marra së bashku.
Në të njëjtat linja, kryeministri serb Vuçiç ka vlerësuar diskutimet e zhvilluara me homologun shqiptar për temat e përbashkëta, duke e cilësuar si shumë pozitive shkëmbimin e mendimeve.

“Ramë dakord për dy çështje të rëndësishme, që janë objektiva të përbashkët për të gjithë ne që synojmë rrugën evropiane me anëtarësimin në BE”, ka thënë Vuçiç.

Ai ka nënvizuar se mes popullsive të rajonit ka një lodhje sa i takon qëndrimit të BE-së për integrimin, ndaj ka propozuar forcimin e bashkëpunimit me projekte konkrete për ta përshpejtuar procesin.

“Duhet të kujdesemi për veten, kemi një treg prej 20 milionë banorë, të kontaktojmë me BE-në dhe të japim maksimumin për realizimin e tyre. I kam propozuar Edit disa projekte të përbashkëta, t'ia propozojmë Brukselit dhe nëse nuk marrim mbështetje, ne si Serbi jemi gati t’i financojmë ato me lekët tona. Ne duhet të lidhim rajonin, të lidhim njerëzit, me tregje më të mira. Bashkarisht mund të kalojmë në tregjet e tjera, ku mund të ofrojmë produktet tona”, ka nënvizuar Vuçiç.

“Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim. Ne inkurajojmë stabilitetin dhe ky stabilitet që ka qenë në vitet e fundit duhet të vazhdojë. Nuk mund të bëjmë reforma pa bashkëpunim rajonal”, ka shtuar ai.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shprehur gatishmërinë për përfshirjen e vendit të tij në projektet rajonale, si dhe për zgjidhjen e problemeve me fqinjët përmes dialogut.

“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për të ndërtuar stabilitetin në rajon, që të krijojmë kushte që njerëzimi të jetojë më mirë. Ne kemi sfidat tona, që kanë të bëjnë me procesin ekonomik, infrastrukturën e munguar, si dhe kemi një nevojë për përkrahje më të madhe të institucioneve financiare ndërkombëtare, duke qenë se kemi hyrë më vonë në periudhën e tranzicionit. Përpos bashkëpunimit për infrastrukturën ka hapësirë për bashkëpunimin tregtar, në fushën e turizmit, etj. Kemi mundësi të punojmë edhe në zhvillimin e tregut rajonal, të lidhemi me tregun evropian, që të gjendemi bashkarisht në familjen evropiane. Kosova është vend i hapur për të gjitha vendet dhe ne jemi të gatshëm që problemet me Serbinë t'i zgjidhim me dialog në interes të stabilitetit dhe paqes”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa kryeministri i Maqedonisë, duke prekur edhe ngjarjet e fundit tragjike të ndodhura në vendin e tij, ka vlerësuar se siguria është një çështje që kërkon prioritet.

Ai kërkoi tejkalimin e kontesteve mes vendeve të Ballkanit, duke nënvizuar se, po të mos ishin ato, “Maqedonia jo vetëm do kishte qenë anëtar i NATO-s dhe do kishte nisur negociatat e anëtarësimit në BE, por ato që ndodhën (ngjarjet në Kumanovë) do të kishin pasur një rrjedhë tjetër”.

“Megjithatë, ne po punojmë me reformat që të ecim përpara dhe është pozitive që vendet e rajonit po bëjnë të njëjtën gjë”, ka thënë Gruevski, i cili u ka dërguar edhe një mesazh liderëve rajonalë.

“Udhëheqësit e vendeve të Evropës juglindore duhet të jenë të kujdesshëm e të përgjegjshëm në deklaratat që bëjnë, sepse qytetarët i ndjekin ato dhe disa prej tyre mund të krijojnë ndjesi negative tek ata, ndjeci të cilat mund të jenë të vështira për t'u zgjidhur”, ka vijuar Gruevski.

Më tej ai ka shprehur vullnetin që Maqedonia të jetë pjesë e projekteve rajonale, por që të realizohen këto, ka nënvizuar ai, duhet të zgjidhen më parë kontestet.

“Për ne është e rëndësishme që sa më parë të nisim negociatat me BE-në dhe shembujt e Sllovenisë dhe Kroacisë mund të jenë të mirë edhe për ne, edhe për Greqinë për të zgjidhur problemet bilaterale”, ka shtuar Gruevski.

Në përfundim të fjalimeve, ku nuk kanë munguar edhe ato të kryeministrave të Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi, kryeministri Rama ka përsëritur apelin drejtuar BE-së, se vonimi i procesit të integrimit do të ishte i padobishëm si për rajonin, ashtu edhe për Unionin.

“Ballkani ka nevojë për Evropën po aq sa Evropa ka nevojë për Ballkanin. Integrimi duhet t'i interesojë Evropës po aq sa na intereson neve, në mënyrë që të mos gjendemi të papërgatitur për situata si ajo në Ukrainë”, ka thënë Rama.

Mustafa merr fjalën, Vuçiç nuk largohet por e dëgjon me vëmendje
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Vjenës që po zhvillon punimet në Tiranë, iu është drejtuar me një fjalim të pranishmëve të nivelit të lartë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Isa Mustafa fillimisht e ka falënderuar kryeministrin Edi Rama për organizimin dhe për mundësinë e diskutimit për procesin e Berlinit, proces ky tejet i rëndësishëm për zhvillimin e përbashkët ekonomik të rajonit.

Ai tha se dallimet dhe mosmarrëveshjet duhet të kthehen në ura bashkëpunimi pasi që synimi përbashkët është integrimi në BE.

Duke theksuar specifikat e ngjashme pasi që të gjitha vendet ballafaqohen me ngecje në zhvillim dhe me infrastrukture jo të zhvilluar, kryeministri Mustafa tha se vendet e rajonit kanë nevojë për përkrahje, sidomos disa nga vendet që e kanë filluar më vonë procesin e tranzicionit dhe duhet të ecin me hapa më të shpejtë për t’u përafruar me vendet e BE-së.

Kryeministri Isa Mustafa përmendi punët që janë bërë në infrastrukturë, duke iu referuar Autostradës R7 Shqipëri- Kosovë e cila është në përfundim e sipër, për të arritur në pikën kufitare Merdare, në drejtim të Nishit dhe autostradës R6 që lidhë Prishtinën me Shkupin e cila ka filluar të ndërtohet dhe pritet që të fillojë rehabilitimi i linjës hekurudhore RX (10).

Sa i takon projekteve në energjetikë, kryeministri Mustafa theksoi se në bashkëpunim me Shqipërinë, dhe me ndihmën e Qeverisë Gjermane, po punohet në ndërtimin e linjës së transmisionit 400 kilovoltëshe dhe se po studiohen mundësitë për të filluar edhe linjën e transmisionit 110 kilovolt, Zhur-Dragash-Kukës.

Kryeministri Mustafa theksoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit edhe në aspekte tjera që do ta përafronin tregjet dhe që rajoni të shndërrohet në destinacion të bizneseve të Evropës perëndimore e të vlerësohen alternativat për turizëm të përbashkët.

Ai shprehu besimin e fuqishëm se rajoni ka nevojë për një bashkëpunim të ngushtë dhe më të theksuar në të gjitha sferat, duke siguruar se Kosova do të marr të gjitha masat e nevojshme që të sigurojë infrastrukturën e nevojshme për të inkurajuar zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryeministri Isa Mustafa po ashtu theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës që përmes dialogut të zgjidhen mosmarrëveshjet dhe të avancohen të gjitha çështjet në interes të përbashkët të vendeve.

Në këtë forum të nivelit të lartë, po marrin pjesë kryeministrat e vendeve të rajonit, liderë të vendeve të BE-së, udhëheqës të lartë të Bashkimit Evropian si dhe personalitete të shquara evropiane dhe më gjerë.

Ajo që ra në sy gjatë fjalës së tij, që vazhdon ende, ishte sjellja e Vuçiç, i cili edhe pse u fol se do të largohej kur ta merrte fjalën kryeministri i Kosovës do të largohej, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Lexoni po ashtu: >>Nëse do ishim anëtare e NATO-s, s'do të ndodhte Kumanova

Gruevski në Tiranë "qahet" për Greqinë

Pas kryeministrave të Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës fjalën e mori kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Ai ka thënë se Maqedonia është një vend multietnik dhe integrimi i saj në BE dhe NATO është shumë i rëndësishëm.

Shefi i qeverisë së Shkupit u shpreh se vendi i tij është i hapur dhe i fokusuar te reformat. Ai foli edhe për raportin pozitiv të KE-së në vitin 2009 dhe se vit pas viti ka patur marrëdhënie të mira me Brukselin, por bllokimi i Greqisë e ka stopuar këtë proces.

Sipas Gruevskit, shtyrja pafund nuk është një zgjidhje. Nëse Maqedonia do të ishte në BE dhe NATO gjithçka do të ishte ndryshe pasi vendi i tij i ka plotësuar të gjitha kriteret.

Nikolla Gruevski foli edhe për bashkëpunimin rajonal si të vetmen mundësi për të shkuar përpara.

Ai foli indirekt edhe për deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama duke thënë se mesazhet e nxituara nuk i bëjnë mirë këtij bashkëpunimi dhe lenë një shije të hidhur te qytetarët.

Vuçiç i shtrin dorën e bashkëpunimit Mustafës

Kryeministrat e shtatë vendeve të rajonit janë mbledhur sot në Tiranë, në Forumin Ekonomik të Vjenës. Të pranishëm bashkë në një event të një niveli të tillë është kryeministri serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të cilët kanë shtrënguar duart.

Në fjalën e tij, kryeministri serb tha se duhet të shkojmë me Ramën me projekte konkrete në Bruksel. Ai nuk ka lënë pas edhe batutat në lidhje me fjalën e Ramës, sa i takon minutazhit kohor.

"E dija që Edi do ta kalonte kohën, e bën gjithmonë këtë punë. I kam propozuar Edit që të firmosim bashkërisht disa projekte të përbashkëta dhe të shkojmë në Bruksel dhe t'ua kërkojmë. Nëse nuk e marrim këtë ne nga ana jonë si Serbi, jemi të gatshëm që ta nisim vetë. Sigurisht që nuk ështe e lehtë, por më e rëndësishme është që ta nisim", tha ai.

Forumi Ekonomik i Vjenës, Rama: Integrimi, shans unik për të ardhmen

“Europa Juglindore sapo ka lënë pas një vit të parë që prej fillimit të shekullit të 20-të me asnjë konflikt në rajon dhe me aspiratën e popujve tanë për integrimin europian, që shihet si një shans unik”, u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik të Vjenës që po mbahet sot në Tiranë.

“Integrimi shihet si një shans unik për të ardhmen. Kjo tregon se nuk kemi kohë të kthejmë kokën prapa, por duhet të shohim drejt së ardhmes për t’iu përgjigjur sfidave të përbashkëta. Ne nuk mund të ecim të vetëm, por duhet të ecim së bashku, sepse askush nuk është i pacënueshëm. Ne duhet të inkurajojmë vetëdijen e asaj çfarë jemi, çfarë mund të ofrojmë dhe çfarë mund të përfitojmë. Bashkëpunimi për sfidat ekonomike dhe politike është thelbësor, kur synimi ynë i përbashkët është Evropa”, ka thënë Rama.

Ai ka vlerësuar se, realizimi i projekteve rajonale do të afrojë popujt tanë dhe e ka cilësuar Samitin e Vjenës një mundësi për të çuar përpara angazhimet e marra së bashku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat