Lexohet Aktakuza Ndaj ish-Kryetarit Shaip Surdulli

Lajme

Lexohet Aktakuza Ndaj ish-Kryetarit Shaip Surdulli

Më: 27 maj 2015 Në ora: 21:56

Në Gjykatën Themelore në Gjilan është mbajtur seanca e radhës për çështjen penale ndaj ish kryetarit të Komunës së Kamenicës Shaip Surdulli dhe tre të akuzuarve të tjerë.

Në seancën e sotme gjyqësore u lexua aktakuza e ngritur nga Prokurori i Shtetit si dhe u dëgjua fjala hyrëse e prokurorit dhe mbrojtjes.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori i shtetit ish-kryetari Surdulli dhe dy ish zyrtarë komunalë, Izet Thaqi dhe Sadik Thaqi akuzohen se kanë keqpërdorur autoritetin zyrtar gjatë kryerjes së procedurave të prokurimit për projektin e rregullimit të shtratit të lumit “Krivoreka” në Kamenicë. Projekti ishte financuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale përmes një marrëveshje mirëkuptimi të arritur në mes kësaj ministrie dhe Komunës së Kamenicës në vitin 2011.

Ndërsa i akuzuari i katërt, Ali Kastrati, sipas aktakuzës, akuzohet për veprën penale keqpërdorim i autorizimeve ekonomike, në cilësinë e menaxherit të kompanisë e cila e kishte fituar tenderin për kryerjen e punëve në shtratin e lumit, shkruan Kallxo.com.

Gjithashtu në këtë seancë sqarimin e ekspertizës së tij e bëri edhe eksperti financiar Riza Blakaj, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të shtetit dhe të mbrojtjes shpjegoi procedurat e tenderimit dhe të tjera që lidhen me rastin në fjalë.

Ndërsa sipas avokatit mbrojtës të ish-kryetarit, Masar Morina, ky rast kërkon një shtjellim të detajuar të fakteve dhe provave për të vërtetuar gjendjen faktike.

“Sipas mendimit tim është një çështje e përgjithësuar sepse nga ministria janë lëshuar mjetet në vlerë prej 145 mijë euro, pra me memorandumin e mirëkuptimit janë lejuar ato mjete, me pagesën për punëkryesin janë bartur tek i njëjti, punët të cilat janë kryer janë pranuar nga komisioni gjegjës, prandaj mjetet kanë shkuar sipas destinimit të caktuar”, tha Morina

Seanca e ardhshme do të mbahet më 21 korrik 2015.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat