Kosova ta armatosë ushtrinë! Alarmet e luftës në Ballkan!

Lajme

Kosova ta armatosë ushtrinë! Alarmet e luftës në Ballkan!

Më: 27 maj 2015 Në ora: 10:17

Ngjarjet në Maqedoni dhe kriza e vazhdueshme që po e shoqëron rajonin, dhe paqëndrueshmëria e gjendjes në veri të vendit, e bëjnë të domosdoshëm forcimin e ushtrisë së Kosovës. Kosova duhet ta rris në mënyrë drastike buxhetin për armatimin e ushtrisë. Kosova nuk ka as polici operative për raste trazirash dhe konfliktesh, ndërsa FSK-ja, aktualisht nuk është në gjendje ti rezistojë as Maqedonisë.
Ata djem të ROSU-s që ishin të angazhuar në kufi gjatë krizës së thelluar në Maqedoni pas Kumanovës, e kishin të pamundur të kujdeseshin për kufirin apo të rezistonin sikur të kishte një rrezik real apo një përleshje. Forcat maqedonase kanë të paktën disa autoblinda, dhe disa superautoblinda ruse, si dhe njësinë e helikopterëve. Por, çfarë kishin forcat tona? Veç një automatikë, madje jo me ma shumë se një apo dy karikator! Kjo është trishtuese për këdo që shkon në mbrojtje të kufirit apo për tu ndeshur me çfarëdo të papriture.
Derisa Qeveria ka shpenzuar qindra miliona euro për vetura e riblerje veturash, mobilime, e rimobilime, për dreka, darka, mëditje, rritje pagash si askush në Ballkan, e për një mijë e njëqind karazllëqe të tjera, si nuk po mundka ti evitojë këto shpenzime dhe ti investojë në siguri, ta pajis me armatim modern policinë, nëse këtë nuk mund ta bënte me FSK-në e TMK-në. Nëse ndërkombëtarët nuk paskan lejuar një gjë të këtillë, ku ishin ndërkombëtarët që nuk shkuan atë ditë në vend të ROSU-s në kufi, siç nuk shkuan të kapin forcat serbe në veri, atë ditë që vranë Enver Zyberin.
Pra, politikanët tanë duhet ta dinë që vjen dita për ti dhënë llogari këtij vendi dhe këtij populli më shumë se kujtdo tjetër! Dhe jo të shtyhen se kush është më servil, kush është shërbëtori model i të tjerëve, por i vendit të tij, atdheut e popullit të tij!
Ndërkohë, që një lajm i mirë vjen se SHBA-të do të stërvitin sot Forcat tona të Sigurisë. Ndoshta kanë nisur institucionet tona nën detyrimin e krizës ta kthejnë vëmendjen kah siguria, apo të shtyra sërish nga miq tanë! I. M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat