Ministri Hyseni po qëndron për një vizitë pune në Nju Jork

Lajme

Ministri Hyseni po qëndron për një vizitë pune në Nju Jork

Më: 27 maj 2015 Në ora: 09:20

Gjatë ditës së parë të takimit në Nju Jork, Ministri Hyseni ka zhvilluar takime të veçanta me Stefan Feller, Shef i Divizionit Policor në Departamentin për Operacionet Paqeruajtëse të OKB-së.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni, po qëndron për një vizitë tre ditore pune në Nju Jork, për të takuar përfaqësues të OKB-së për sundim të rendit dhe ligjit si dhe përfaqësues të shumtë të përhershëm të vendeve të akredituara pranë OKB-së.

Gjatë ditës së parë të takimit në Nju Jork, Ministri Hyseni ka zhvilluar takime të veçanta me Stefan Feller, Shef i Divizionit Policor në Departamentin për Operacionet Paqeruajtëse të OKB-së.
Në këtë takim, Ministri Hyseni dhe Feller kanë zhvilluar një diskutim substancial rreth bashkëpunimit policor ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Ministri Hyseni ka njoftuar Feller me përmbajtjen e aplikacionit për anëtarësim në INTERPOL të cilin Kosova e ka dorëzuar në fund të prillit. Me këtë rast, Ministri Hyseni ka ofruar argumente të fuqishme pse Kosova duhet të jetë anëtare e INTERPOL-it dhe i ka ftuar agjencitë përkatëse të OKB-së që ta përkrahin këtë anëtarësim.

“Ka ardhur koha kur Kosova duhet të marrë përgjegjësitë e saj të plota në rrafshin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor. Me gjithë respektin për rolin e UNMIK-ut deri më tash është nevojë e kohës dhe domosdo që Kosova të ketë qasje direkt në informacionin e INTERPOL-it dhe të ofrojë informacion në kthim rreth çështjeve që bien nën jurisdiksionin e INTERPOL-it”, theksoi Ministri Hyseni.

Ndërsa, Feller, pasi vlerësoi lartë të arriturat e Kosovës në fushën e krijimit të kapaciteteve për luftimin e krimit të organizuar transnacional, e vlerësoi të rëndësishme që Kosova të përkrahet në përpjekjet e saja për bashkëpunim ndërkombëtar policor.

Gjatë ditës së djeshme Ministri Hyseni ka takuar po ashtu Jane Hall Lute – Ndihmëse e Sekretarit të Përgjithshëm, e ngarkuar po ashtu për rialokimin e banuesve të Kampit Hurriyah jashtë Irakut. Edhe në këtë takim është biseduar në hollësi për punën që Kosova po bën në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor. Me këtë rast u tha se vlerësohet shumë puna e Kosovës për tu bërë pjesë efikase e koalicionit anti-ekstremist dhe anti-terrorist.

Po ashtu gjatë ditës së djeshme Ministri Hyseni ka takuar edhe përfaqësuesin e përhershëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, Ambasadorin Ufuk Gokcen, pastaj Përfaqësuesin e Përhershëm të Sllovenisë, Ambasadorin Andrej Logar, si dhe atë të Italisë, Ambasadorin Sebastiano Cardi. Në të gjitha këto takime temë bosht e bisedës ishte kërkesa e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL.

U kërkua përkrahja e këtyre vendeve dhe organizatave ndërkombëtare me qëllim që të rrumbullakohet anëtarësimi. Të gjithë bashkëbiseduesit e Ministrit në këto takime janë pajtuar se Kosova duhet të bëhet pjesë e organizmave ndërkombëtarë dhe kanë ofruar përkrahjen e tyre që kjo të arrihet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat