Meta-Zannier: Kosova të jetë pjesëmarrëse në OSBE

Lajme

Meta-Zannier: Kosova të jetë pjesëmarrëse në OSBE

Më: 26 maj 2015 Në ora: 17:31

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Lamberto Zannier, me të cilin bisedoi për cilësinë e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe OSBE-së si dhe aktivitetin e Prezencës së OSBE në Shqipëri, duke vënë në dukje se kontributi i organizatës i shërben zhvillimeve demokratike e institucionale të vendit tonë.

Meta theksoi se Kuvendi e ka forcuar rolin e tij mbikëqyrës ndaj zbatimit të legjislacionit përmes aktivitetit të komisioneve të ndryshme parlamentare, monitorimit të aktivitetit vjetor të institucioneve shtetërore e të pavarura, rezolutave të ndryshme që kalojnë në Kuvend, raporteve vjetore dhe të veçanta që përgatiten dhe përmes ngritjes së komisioneve të ndryshme hetimore. Në këtë kuadër u vlerësua asistenca e OSBE-së në mbështetje të aktivitetit parlamentar.

Duke biseduar mbi zgjedhjet e pushtetit vendor në Shqipëri, Meta nënvizoi se maxhoranca ka vullnetin maksimal për aplikimin e standardeve të zgjedhjeve në nivelin më të lartë bashkëkohor dhe në këtë drejtim mirëpritet roli i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR nën drejtimin e Ambasadores Audrey Glover.

Zannier shprehu mbështetjen e OSBE për realizimin me sukses të reformës territoriale, ndërsa vlerësoi realizimin e barazisë së plotë gjinore në listat e këshillit bashkiak si dhe numrin në rritje të kandidatëve për kryetarë bashkish.

Në përfundim, Meta dhe Zannier diskutuan mbi zhvillimet në rajon, ku u vlerësua roli konstruktiv i Shqipërisë si dhe prezenca e OSBE-së në rajonin tonë, në shërbim të paqes, forcimit institucional dhe stabilitetit të vendeve tona fqinje. Meta theksoi se Shqipëria dëshiron që edhe Kosova të jetë pjesëmarrëse në OSBE, ku përfaqësuesit e saj të kenë mundësinë të shprehen për zhvillimet rajonale dhe veçanërisht për ato çështje që prekin vetë Kosovën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat